• e shtunë, 23 nëntor 2024

Kina dërgoi aeroplanë ushtarakë në Tajvan pasi sekretari shtetëror u largua nga Pekini

Kina dërgoi aeroplanë ushtarakë në Tajvan pasi sekretari shtetëror u largua nga Pekini

Tajpei, 27 prill 2024 (MIA) - Tajvani sot njoftoi për aktivitete të rinovuara ushtarake kineze në afërsi të ishullit, pasi 12 aeroplanë e kaluan vijën e ndjeshme qëndrore të Ngushticës së Tajvanit, një ditë pasi sekretari shtetëror amerikan Entoni Blinken e përfundoi vizitën në Kinë.

SHBA-ja është mbështetësja më e rëndësishme ndërkombëtare dhe furnizuese e armëve të Tajvanit edhe krahas mospasjes së marrëdhënieve diplomatike formale. Blinkeni tha se e ka theksuar "rëndësinë kritike" të ruajtjes së paqes dhe stabilitetit përmes Ngushticës, derisa ishte në Kinë, transmeton Radio Evropa e Lirë. 

Ministria e Mbrojtjes së Tajvanit njoftoi se sot ka zbuluar 22 aeroplanë ushtarakë kinezë, duke përfshirë edhe aeroplanë Su-30, deri në orën 9:30 (të shtunën, në orën 1:30 sipas kohës së Evropës së Mesme), prej të cilëve 12 e kaluan vijën qendrore drejt veriut dhe pjesën qendrore të Tajvanit. 

Vija dikur shërbente si kufi jozyrtar mes dy anëve që asnjë ushtri nuk e ka kaluar, por aviacioni kinez tani rregullisht dërgon aeroplanë mbi të. Kina nuk e pranon egzistimin e vijës. 

Ministria e Mbrojtjes së Tajvanit njoftoi se aeroplanët ishin angazhuar në "patrulla të përbashkëta për gatishmëri ushtarake" me anije ushtarake kineze, duke shtuar se aeroplanët dhe anijet e Tajvanit janë përgjigjur "në mënyrë adekuate". Hollësi të tjera nuk janë bërë të ditura. fc/

Fotografia: Arkivi

QËNDRONI TË LIDHUR