• e enjte, 26 dhjetor 2024

Kim Xhong-un urdhëron rritjen e prodhimit të raketave dhe municioneve: Ne duhet të jemi gati për luftë

Kim Xhong-un urdhëron rritjen e prodhimit të raketave dhe municioneve: Ne duhet të jemi gati për luftë

Phenian, 14 gusht 2023 (MIA) - Udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Xhong-un bëri thirrje për rritje të prodhimtarisë së raketave në mënyrë që vendi të fitojë "fuqi dominuese" dhe të jetë e gatshme për luftë, lajmëroi agjencia shtetërore KCNA (KCNA), ndërsa Koreja Jugore dhe SHBA-ja përgatiten për stërvitjet e tyre vjetore të përbashkëta.

Urdhri i liderit të Koresë së Veriut vjen pasi ai të premten dhe të shtunën vizitoi objektet kyçe që prodhojnë raketa, platforma për lansim të raketave,  automjete të blinduara dhe predha artilerie dhe disa ditë para fillimit të stërvitjeve ushtarake të SHBA-së dhe Koresë së Jugut, në të cilat Pheniani sheh "përgatitje për luftë".

Për këto arsye Kim Xhong-un kërkon prodhimtari masive të llojeve të ndryshme të armëve, ndërsa prodhimtarinë e rritur të raketave e sheh si plotësimin e nevojave të njësive ushtarake në vijën e frontit, transmeton KCNA.

Ekziston një "nevojë urgjente për të rritur në mënyrë eksponenciale prodhimin e raketave për të forcuar njësitë tona të vijës së parë. "Ushtria jonë duhet të sigurojë fuqinë dominuese ushtarake dhe të jetë e gatshme për të luftuar çdo luftë në çdo kohë, në mënyrë që armiqtë të mos guxojnë të përdorin forcën përndryshe ata do të shkatërrohen", tha udhëheqësi i Koresë së Veriut, raportoi KCNA.

Në dhjetë ditët e fundit të gushtit, Koreja e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës njoftuan se do të kryejnë stërvitje ushtarake për t'iu përgjigjur kërcënimeve në rritje bërthamore dhe raketore që vijnë nga veriu i gadishullit Korean. sa/

foto: EPA

QËNDRONI TË LIDHUR