• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Kievi në Konferencën në Londër mori edhe 60 miliardë euro ndihmë për rindërtimin e Ukrainës

Kievi në Konferencën në Londër mori edhe 60 miliardë euro ndihmë për rindërtimin e Ukrainës

Londër, 22 qershor 2023 (MIA) – Ukraina ka marrë mbështetje të re financiare prej gjithsej 60 miliardë euro për ripërtëritjen e ekonomisë së saj, deklaroi sot ministri i Punëve të Jashtme të Britanisë, Xhejms Kleverli në përfundim të Konferencës ndërkombëtare kushtuar rindërtimit të vendit që u mbajt në Londër.

"Nuk kishim ndërmend që kjo konferencë të jetë një forum për kontribute financiare, por edhe kësaj sot u premtuan gjithsej 60 miliardë euro për të mbështetur Ukrainën nga qeveritë dhe organizatat ndërkombëtare në afatshkurtër dhe afatmesëm", ka thënë Kleverli.

Pjesa kryesore e shumës është nga pakoja e ndihmës në vlerë prej 50 miliardë euro të cilën Bashkimi Evropian planifikon të ndajë deri në vitin 2027 dhe e publikon në prag të Konferencës.

SHBA ka paralajmëruar ndihmë në vlerë 1.3 miliardë dollarë dedikuar kryesisht për sektorin energjetik dhe infrastrukturën e Ukrainës.

"Këtë vit po fillojmë të rindërtojmë Ukrainën, nuk do ta presim fundin e luftës", ka thënë kryeministri ukrainas Denis Shmigal, duke falënderuar aleatët e Kievit për mbështetjen financiare.

Rindërtimi afatmesëm i ekonomisë ukrainase vlerësohet më shumë se 400 miliardë dollarë në këtë fazë të konfliktit.

Shmigal ka mirëpritur madje përkushtimin e "pothuajse të gjithë pjesëmarrësve" për të mbështetur idenë se Rusia duhet "të paguajë për krimet dhe shkatërrimin e saj në Ukrainë".

"Duhet ta finalizojmë mekanizmin e kompensimit që do të na mundësojë të përdorim fondet e ngrira ruse për rindërtimin e Ukrainës", ka thënë Shmigal.

Qëllimi i konferencës në Londër ka qenë mobilizimi i fondeve të nevojshme për rindërtimin e Ukrainës në planin afatshkurtër dhe afatmesëm, por edhe të ftohet sektori privat për të kontribuuar, duke krijuar mekanizma për të garantuar investimet e saja në vend.

Kleverli ka thënë se thuajse 500 kompani nga 42 vende kanë premtuar se do të marrin pjesë në rindërtimin e Ukrainës. 

Foto: EPA

 

QËNDRONI TË LIDHUR