• e shtunë, 23 nëntor 2024

KFOR-i kërkon përgjegjësi për 93 ushtarët e lënduar vitin e kaluar në Zveçan

KFOR-i kërkon përgjegjësi për 93 ushtarët e lënduar vitin e kaluar në Zveçan

Prishtinë, 29 maj 2024 (MIA) - Misioni i NATO-s në Kosovë ka kërkuar edhe një herë që autorët e sulmeve ndaj pjesëtarëve të KFOR-it gjatë protestave të Zveçanit një vit më parë, të mbahen përgjegjës.

Në njëvjetorin e trazirave në Zveçan, në një kumtesë për mediat të mërkurën, KFOR-i ka thënë se sulmi ndaj pjesëtarëve të tij ishte i papranueshëm.

Në veri, tensionet u rritën vitin e kaluar pasi Policia e Kosovës asistoi që në ndërtesat komunale të hynin kryetarët e rinj shqiptarë. Kjo u kundërshtua nga popullata vendase serbe, që nuk pranoi rezultatet e zgjedhjeve lokale të prillit, votime që i bojkotoi. Situata u përshkallëzua më 29 maj, kur serbët u përleshën me KFOR-in. Ishin lënduar 93 pjesëtarë të KFOR-it, disa prej të cilëve morën lëndime të rënda.

"Sot ne nderojmë shërbimet dhe sakrificat e bashkëluftëtarëve tanë, të cilët e vunë jetën në rrezik, për t’i kryer detyrat e tyre për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë, në përputhje me mandatin e misionit tonë në OKB. Guximi i tyre ndihmoi të stabiliziohej situata në zonë dhe të parandalojë përshkallëzimin e mëtejmë", deklaroi komandanti i KFOR-it, Ozkan Ulutash.

Siç bëhet e ditur në kumtesën e KFOR-it, NATO-ja ka dislokuar rreth 1.000 ushtarë shtesë dhe ka sjellë forca të blinduara shtesë në Kosovë. Është rritur prania e KFOR-it në veri e janë shtuar patrullimet, përfshirë ato në kufi. fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR