• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

KFOR: Pas protestave të dhunshme në veri të Kosovës janë fshehur grupe kriminele

KFOR: Pas protestave të dhunshme në veri të Kosovës janë fshehur grupe kriminele

Prishtinë, 9 qershor 2023 (MIA) - Zëdhënësi i Shtabit të forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR), kolonel Andrea Gallieni tha se ishte qartë se pas protestave të dhunshme të serbëve në veri të Kosovës, që filluan para më shumë se dhjetë ditëve, janë fshehur grupe kriminele, të cilët kanë tentuar t'i sulmojnë trupat e KFOR-it, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina. 

Gallieni në konferencën e sotme për shtyp në Prishtinë tha se në protestat më 29 maj në komunën e Zveçanit janë lënduar 30 pjesëtarë të misioni paqeruajtës, prej të cilëve 11 nga kontigjenti italian, ndërsa 19 nga ai hungarez, ndërsa gjatë ditëve të ardhshme edhe disa të tjerë.

"Nga 29 maji forca shtesë të KFOR-it janë sistemuar në veri të Kosovës, pasi katër kryetarë të komunave aty disa ditë më herët kanë tentuar të hyjnë në zyre. KFOR-i ishte aty që të pengojë eskalimin e mëtejshëm të protestës dhe më 29 maj ndodhi një protestë e madhe, ku janë involvuar edhe ushtarë të KFOR-it. Gjatë protestës disa ushtarë u lënduan nga gurë, eksplozivë të improvizuar dhe armë zjarri. Ishte e qartë se njerëzit po tentonin të protestonin në mënyrë paqësore, por ishte e qartë se prapa tyre po fshiheshin grupe kriminale që tentonin të sulmonin trupat e KFOR-it”, u shpreh ai.

Zëdhënësi i Shtabit, Gallieni sqaroi se nuk pasur koordinim me Qeverinë më 29 maj, ditën kur edhe u tensionua situata në veri.

“Komandanti i KFOR-it është vazhdimisht në kontakt me institucionet e Kosovës. Nuk mund të them se kishte koordinim më 29 maj. Jemi duke monitoruar gjithë situatën dhe jemi të gatshëm për reagim. E rëndësishme tani është që palët t’i kthehen dialogut, si mënyra e vetme për të zgjidhur situatën”, pohoi ai.

Gallieni, i pyetur nga gazetarët se a do të reagojnë në rast të tensionimit të situatës, tha se KFOR është i gatshëm që të veprojë.

“KFOR-i është i gatshëm të veprojë në çdo situatë të eskalimit. Ushtarët tanë janë të trajnuar dhe të gatshëm për të përdorur te gjitha rrugët nëse nevojitet”, theksoi Gallieni.

KFOR ka shtuar praninë në komunat veriore pasi serbët lokalë po kundërshtojnë vendosjen e kryetarëve shqiptarë në objektet komunale. Ata po vazhdojnë me protesta, ndërsa disa prej tyre kanë qenë të dhunshme, ku kanë sulmuar ushtarët e KFOR-it, Policinë e Kosovës dhe gazetarët. bsh/

QËNDRONI TË LIDHUR