• e martë, 24 dhjetor 2024

KE-ja rekomandon procedurë kundër shtatë anëtarëve të BE-së për shkak të "deficitit të tepruar"

KE-ja rekomandon procedurë kundër shtatë anëtarëve të BE-së për shkak të

Bruksel, 9 korrik 2024 (MIA) - Komisioni Evropian vendosi t'i rekomandojë Këshillit të BE-së që të fillojë procedurat kundër shtatë vendeve anëtare të Unionit për shkak të "nivelit të tepërt" të deficitit të tyre buxhetor.

Siç raporton korrespondenti i MIA-s nga Brukseli, bëhet fjalë për Belgjikën, Italinë, Maltën, Poloninë, Sllovakinë, Hungarinë dhe Francën, për të cilat, sipas Komisionit Evropian, ekziston një bazë e arsyeshme për fillimin e procedurës së “deficitit të tepruar”.

Sipas këtij propozimi të KE-së, Këshilli i BE-së duhet të vlerësojë arsyetimin e tij dhe nëse e pranon do të duhet të miratojë rekomandime për përshtatje dhe një afat deri në të cilin vendet e përmendura duhet të tejkalojnë situatën e deficitit.

Kusht për fillimin e një procedure të tillë është nëse deficiti buxhetor i një shteti anëtar për vitin e kaluar dhe ai i planifikuar për atë aktual tejkalon tre për qind të BPV-së kombëtare.

Sipas të dhënave të KE-së, Belgjika vitin e kaluar ka pasur një deficit buxhetor prej 4.4 për qind, që është norma e parashikuar edhe për këtë vit, në Itali deficiti i vitit të kaluar ishte 7.4 për qind dhe për këtë vit parashikohet 4.3 për qind, ndërsa në Maltë vitin e kaluar ishte 4.9 për qind dhe për këtë vit parashikohet 4.5 për qind. Në Poloni vitin e kaluar deficiti ishte 5.1 për qind dhe pritet të mbetet në të njëjtin nivel në vitin 2024, në Sllovaki deficiti pritet të rritet nga 4.9 e vitit të kaluar në 6 për qind këtë vit, në Hungari vitin e kaluar norma ishte 6.7 për qind, ndërsa këtë vit parashikohet të arrijë në 4.5 për qind, ndërsa në Francë për këtë vit parashikohet një ulje e lehtë e nivelit të deficitit buxhetor nga 5.5 në 5.3 për qind e vitit të kaluar. qa/

Foto: arkivi i MIA-s

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR