• e enjte, 26 dhjetor 2024

KE-ja propozon direktivë të re për luftë kundër abuzimit seksual dhe shfrytëzimin e fëmijëve

KE-ja propozon direktivë të re për luftë kundër abuzimit seksual dhe shfrytëzimin e fëmijëve

Bruksel, 6 shkurt 2024 (MIA) - Komisioni Evropian sot ka miratuar Propozim-direktivën për luftën kundër abuzimit seksual dhe shfrytëzimit të fëmijëve me të cilën përditësohen sanksionet penalo-juridike për këto vepra penale, bëri të ditur nënkryetarja e KE-së dhe komisare evropiane për demokraci dhe demografi, Dubravka Shuica.

"Është vlerësuar se një nga pesë fëmijë në BE vuan nga një formë e abuzimit ose shfrytëzimit seksual, oflajn dhe onlajn. Veprat penale lidhur me abuzimin seksual janë rritur ndjeshëm gjatë viteve të fundit", shtoi Shuica në konferencën pas mbledhjes së sotme të Kolegjit të komisarëve në të cilën u miratua Propozim - direktiva.

Sipas saj, vetëm në vitin 2020 në BE janë paraqitur një milion raste të abuzimit seksual te fëmijët, ndërsa në vitin 2022 numri i tyre është rritur në 1,5 milion. 

"Abuzimi seksual fëmijëve është një vepër penale kundër kategorive më të cenueshme, ku rreth 75 për qind e viktimave i njohin abuzuesit e tyre. Ajo shkakton pasoje afatgjata dhe krijon trauma të përjetshme", theksoi Shuica.

Sipas saj, epoka digjitale dhe teknologjitë e reja kanë rritur kërcënimet e abuzimit seksual të fëmijëve dhe interneti ka lehtësuar shumë shpërndarjen dhe ndarjen e videove dhe imazheve të dhunës seksuale ndaj fëmijëve.

Rregullat e rishikuara zgjerojnë përkufizimet e veprave penale të abuzimit seksual të fëmijëve, vendosin dënime më të larta për këtë vepër dhe promovojnë kërkesa më specifike për parandalimin dhe ndihmën ndaj viktimave.

Rregullat janë gjithashtu në përputhje me Rregulloren që Komisioni propozoi në vitin 2022 që vendos detyrime për kompanitë e internetit për të zbuluar, raportuar dhe hequr materialet që lidhen me abuzimin seksual të fëmijëve në platformat e tyre.

"Duhet të sigurojmë që interneti të jetë i sigurt për fëmijët dhe të rinjtë. Ne, nuk dorëzohemi sepse çdo fëmijë meriton mbrojtje, kudo në botë", shtoi Shuica.

Eurokomisarja për Punë të Brendshme Ilva Johanson në të njëjtën konferencë për shtyp, madje theksoi se kërcënimi i abuzimit seksual ndaj fëmijëve është real dhe është rritur në të gjithë BE-në, duke treguar disa shembuj të rasteve të zbuluara të fenomeneve të tilla. qa/

Foto: EBS

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR