KE-ja planifikon thjeshtimin e procesit të anëtarësimit për të shmangur bllokadat për shkak të mosmarrëveshjeve dypalëshe
- Komisioni Evropian po shqyrton mënyra për thjeshtimin e procedurave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, me qëllim që të shmanget rreziku që çështjet dypalëshe të ngadalësojnë procesin, veçanërisht në këtë kontekst të ndjeshëm gjeopolitik. Këtë e deklaroi eurokomisionerja për zgjerimin, Marta Kos gjatë një seance dëgjimore para Komitetit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian.
- Post By Qefsere Abduli
- 12:03, 3 qershor, 2025
Bruksel, 3 qershor 2025 (MIA) - Komisioni Evropian po shqyrton mënyra për thjeshtimin e procedurave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, me qëllim që të shmanget rreziku që çështjet dypalëshe të ngadalësojnë procesin, veçanërisht në këtë kontekst të ndjeshëm gjeopolitik. Këtë e deklaroi eurokomisionerja për zgjerimin, Marta Kos gjatë një seance dëgjimore para Komitetit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian.
Kos shprehu gatishmërinë për të ndihmuar në dialogun mes Shkupit dhe Sofjes. "Kemi një qëllim politik që negociatat me Republikën e Maqedonisë së Veriut të fillojnë në mënyrë thelbësore sapo të realizohen ndryshimet e nevojshme kushtetuese. Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut duhet të negociojnë dhe të gjejnë një zgjidhje për këtë mosmarrëveshje dypalëshe, dhe unë jam e gatshme të ndërmjetësoj nëse është e nevojshme", deklaroi ajo.
Komisisarja evropiane shtoi se me Shqipërinë tashmë janë duke u zhvilluar negociatat për 24 kapituj, ndërsa Serbisë i është theksuar se duhet të vazhdojë me reformat dhe të rikthejë besimin e publikut. Ajo i dërgoi një mesazh presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, se vizita e tij në Moskë për festimin e 9 Majit po i komplikon përpjekjet e BE-së për përparimin e Serbisë.
"Rruga evropiane e Kosovës kalon përmes normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë", deklaroi Kos, duke bërë thirrje për formimin e shpejtë të institucioneve të reja pas zgjedhjeve të fundit.
Në Bosnjë e Hercegovinë, sipas Kosit, bllokada politike vazhdon, por dera për hyrje në BE mbetet e hapur. Mali i Zi po përparon shpejt në negociata – gjashtë kapituj tashmë janë mbyllur dhe pritet që negociatat të përfundojnë deri vitin e ardhshëm.
Kosi theksoi se Turqia mbetet një partner strategjik i BE-së dhe se është në interesin e përbashkët që vendi të mbetet i lidhur me vlerat evropiane. Sa i përket Gjeorgjisë, ajo paralajmëroi se autoritetet atje po e largojnë vendin nga BE-ja dhe po krijojnë rreziqe për themelet e demokracisë.
"Duhet të ndërmarrim menjëherë hapat e mëtejshëm me Ukrainën dhe Moldavinë – gjithçka është gati, dhe tani është në dorën e Këshillit të BE-së për të nisur negociatat", tha Kosi. „Nëse duam paqe dhe stabilitet në Evropë, duhet të jemi të pavarur dhe të përfundojmë bashkimin europian – kjo është një detyrim moral".
Zgjerimi, sipas saj, mbetet pjesë e integrimit evropian dhe është katalizator ekonomik. Vendet kandidate duhet të realizojnë reforma dhe të ndërtojnë institucione dhe ekonomi të qëndrueshme dhe demokratike. Ajo shpreson se në katër vitet e ardhshme, të paktën edhe një vend do të bëhet anëtar i BE-së. qa/
Foto: Arkivi