• e mërkurë, 21 janar 2026

KE-ja paralajmëron SHBA-në: Okupimi i Grenlandës do të ishte fundi i NATO-s

KE-ja paralajmëron SHBA-në: Okupimi i Grenlandës do të ishte fundi i NATO-s

Bruksel, 6 janar 2026 (MIA) - Komisioni Evropian (KE) paralajmëroi dje se interesat e sigurisë nuk duhet të përdoren kurrë si pretekst për aneksimin e Grenlandës, një rajon autonom i Mbretërisë së Danimarkës, qeveria e së cilës paralajmëron se marrja e ishullit nga SHBA do të nënkuptonte fundin e NATO-s.

"Duam t'u rikujtojmë të gjithëve se Grenlanda është një aleat i SHBA-së dhe është nën mbrojtjen e NATO-s", deklaroi zëdhënësja e Komisionit, Paula Pinjo.

Zëdhënësja e Komisionit për Politikë të Jashtme, Anita Hiper, deklaroi se BE pret që partnerët e saj të respektojnë parimet e sovranitetit dhe integritetit territorial.

“BE-ja do të vazhdojë të mbrojë parimet e sovranitetit kombëtar, integritetit territorial dhe paprekshmërisë së kufijve”, deklaroi Hiper. “Kjo veçanërisht vlen për raste kur integriteti territorial i një shteti anëtar të BE-së vihet në pikëpyetje”, shtoi ajo.

Kryeministrja daneze, Mete Frederiksen deklaroi për televizionin danez se Trampi duhet të merret seriozisht dhe theksoi se nëse SHBA sulmon një anëtare tjetër të NATO-s, "kjo do të thotë fundi i asaj aleance ushtarako-politike".

"Dua ta bëj të qartë se nëse SHBA vendos të sulmojë ushtarakisht një vend tjetër të NATO-s, atëherë gjithçka ndalet, përfshirë NATO-n dhe bashkë me të edhe siguria që është vendosur që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore", tha ajo.

Grenlanda është e pasur me lëndë të para dhe për shkak të lokacionit të saj është jashtëzakonisht e rëndësishme si bazë për kontrollin ushtarak të Arktikut.

"Ne kemi nevojë për Grenlandën për shkaqe sigurie kombëtare", tha të dielën presidenti amerikan, Donald Tramp. Ai shtoi se ishulli ka rëndësi të madhe strategjike dhe se për momentin është e rrethuar nga anije ruse dhe kineze dhe se Danimarka nuk mund të garantojë sigurinë e saj.

Foto: arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR