• e shtunë, 23 nëntor 2024

KE: Vizita e Orbanit në Tbilisi është në nivel të marrëdhënieve bilaterale Gjeorgji - Hungari

KE: Vizita e Orbanit në Tbilisi është në nivel të marrëdhënieve bilaterale Gjeorgji - Hungari

Bruksel, 28 tetor 2024 (MIA) - Vizita e sotme e kryeministrit hungarez Viktor Orban në Gjeorgji është në kuadër të marrëdhënieve bilaterale mes Budapestit dhe Tbilisit dhe ai nuk ka mandat të flasë në emër të BE-së, theksoi sot zëdhënësja e Komisionit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Nabila Masrali. 

"Mund të them se vizita e kryeministrit Orban në qytetin Tbilisi është ekskluzivisht në kuadër të marrëdhënieve dypalëshe midis Hungarisë dhe Gjeorgjisë. Kryeministri Orban nuk ka marrë asnjë mandat nga Këshilli i BE-së", tha Masrali. 

Ajo njoftoi se çështja e zhvillimeve në Gjeorgji do të jetë në agjendën e Samitit joformal të BE-së javën e ardhshme në Budapest, si dhe në seancën e Këshillit të Punëve të Jashtme të Unionit në nëntor.

Në pyetjen nëse BE-ja i njeh apo jo rezultatet e zgjedhjeve të së shtunës në Gjeorgji, Masrali nuk dha një përgjigje konkrete, duke theksuar se Unioni kërkon që të zbardhen dhe të zgjidhen akuzat për parregullsi zgjedhore.

"Nuk mund të paragjykojmë rezultatet përfundimtare të këtyre hetimeve, por do ta ndjekim të gjithë procesin me shumë kujdes", theksoi Masrali, duke theksuar deklaratën e Përfaqësuesit të lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Siguri, Zhosep Borel lidhur me zgjedhjet. qa/

Foto: arkivi

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR