KE e paralajmëroi nismën "Amaltea" për hapjen e një korridori detar humanitar drejt Gazës
- Komisioni Evropian sot njoftoi se së bashku me Mbretërinë e Bashkuar, Gjermaninë, Greqinë, Italinë, Qipron, Emiratet e Bashkuara Arabe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Holandën, publikon synimin për hapjen e një korridor detar për dërgimin e ndihmave shtesë humanitare shumë të nevojshme në Gaza me rrugë detare, në kushtet kur situata humanitare në Rripin e Gazës është "e tmerrshme dhe familjet dhe fëmijët e pafajshëm palestinezë janë të dëshpëruar për nevojat bazë".
- Post By Lindita Sulejmani
- 13:17, 8 mars, 2024
Bruksel, 8 mars 2024 (MIA) - Komisioni Evropian sot njoftoi se së bashku me Mbretërinë e Bashkuar, Gjermaninë, Greqinë, Italinë, Qipron, Emiratet e Bashkuara Arabe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Holandën, publikon synimin për hapjen e një korridor detar për dërgimin e ndihmave shtesë humanitare shumë të nevojshme në Gaza me rrugë detare, në kushtet kur situata humanitare në Rripin e Gazës është "e tmerrshme dhe familjet dhe fëmijët e pafajshëm palestinezë janë të dëshpëruar për nevojat bazë".
"Prandaj, kombet tona synojnë të ndërtojnë modelin e dhënies së ndihmës së konsiderueshme shtesë nga deti, duke punuar në koordinim me Koordinatoren e Lartë të OKB-së për Ndihmë Humanitare dhe Rindërtim për Gazën, Sigrid Kaag, e cila është përgjegjëse për lehtësimin, koordinimin, monitorimin dhe verifikimin e fluksit të ndihmave për Gazën sipas Rezolutës 2720 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së", informoi KE-ja.
Për këtë qëllim po krijohet nisma “Amaltea”, si një mekanizëm për dërgimin e sigurt të ndihmave nga Qipro në Gaza në rrugë detare, e cila do të mundësojë realizimin e përpjekjeve të përbashkëta për krijimin e një korridori detar. Duke vepruar kështu, KE mirëpret përpjekjet e përkushtuara të Emirateve të Bashkuara Arabe për të mbështetur "Amaltea", e cila do të mundësojë dërgimin fillestar të ushqimit nga deti për popullin e Gazës.
"Qiproja së shpejti do të thërrasë një takim të zyrtarëve të lartë për të diskutuar se si mund ta përshpejtojmë këtë kanal detar për të mbështetur ata që kanë nevojë, duke plotësuar rrugët tokësore dhe ajrore, përfshirë ato nga Egjipti dhe Jordania. SHBA-ja paralajmëroi një mision urgjent të udhëhequr nga ushtria amerikane në koordinim me partnerët humanitar dhe vende të tjera, për të krijuar një port të përkohshëm në Gazë për të mundësuar dërgimin e sasive të konsiderueshme të ndihmave nga deti. Këto përpjekje do të koordinohen ngushtë me Qeverinë e Izraelit", shtohet në kumtesën.
Komisioni Evropian thekson se dërgimi i ndihmave humanitare drejtpërdrejt në Gazë nga deti do të jetë kompleks, kështu që vendet e përfshira në nismë do të vazhdojnë të vlerësojnë dhe përshtatin përpjekjet e tyre për të siguruar shpërndarjen sa më efikase të ndihmës.
"Ky korridor detar mund dhe duhet të jetë pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të rritur fluksin e ndihmave humanitare dhe mallrave tregtare në Gazë përmes të gjitha rrugëve të mundshme. Ne do të vazhdojmë të punojmë me Izraelin për të zgjeruar dërgesat tokësore, duke këmbëngulur në mundësimin e më shumë rrugëve dhe hapjen e vendkalimeve shtesë për të ofruar më shumë ndihmë për më shumë njerëz. Ne pohojmë se mbrojtja e jetëve të civilëve është një element kyç i së drejtës ndërkombëtare humanitare që duhet respektuar dhe së bashku ne të gjithë duhet të bëjmë më shumë për të siguruar që ndihma të arrijë tek njerëzit që kanë nevojë dëshpërimisht për të, shtohet në kumtesën. ls/
Foto: Arkivi i MIA-s