KB-ja kërkon që Izraeli ta ndërpret praninë "e paligjshme" në Bregun Perëndimor dhe në Jerusalemin Lindor në afat prej 12 muajve
- Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka miratuar një rezolutë me të cilën kërkohet që Izraeli “të përfundojë menjëherë praninë e tij "të paligjshme” në atë që e quan “territorin e pushtuar palestinez” brenda 12 muajve, duke përfshirë të gjithë ushtarët dhe civilët.
Nju-Jork, 18 shtator 2024 (MIA) - Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka miratuar një rezolutë me të cilën kërkohet që Izraeli “të përfundojë menjëherë praninë e tij "të paligjshme” në atë që e quan “territorin e pushtuar palestinez” brenda 12 muajve, duke përfshirë të gjithë ushtarët dhe civilët.
Rezoluta kërkon që Izraeli t'i bindet një vendimi të korrikut të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për praninë e Izraelit në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor dhe bën thirrje për një embargo armësh për Izraelin, raporton "Tajms of Izrael".
Masa u sponsorizua nga Shteti i Palestinës dhe 29 vende të tjera, kryesisht kombe myslimane. Emiratet e Bashkuara Arabe janë i vetmi vend arab që refuzoi të ishte ndër sponsorët.
Rreth 124 vende e mbështesin masën, 14 janë kundër dhe 43 abstenuan. Izraeli, SHBA-ja, Republika Çeke dhe Argjentina ishin vendet më të mëdha që u kundërshtuan, së bashku me vendet e ishullit të Paqësorit. Paraguai dhe Malavi janë gjithashtu kundër masës.
Shumë vende evropiane abstenuan – përfshirë Ukrainën, Britaninë e Madhe, Gjermaninë dhe Italinë, si dhe Kanadanë dhe Australinë.
Ministria izraelite e Punëve të Jashtme njoftoi se vendimi "inkurajon terrorizmin dhe dëmton shanset për paqe".
Izraeli akuzon se vendimi e injoron 7 tetorin dhe forcon Hamasin, duke dërguar një mesazh se "terrorizmi shpërblehet". Kjo e bën marrëveshjen e pengjeve më pak të sigurt, theksoi MPJ izraelite.
"Izraeli do të përgjigjet në mënyrë përkatëse", theksoi Ministria, por nuk thuhet saktësisht se si do t'i përgjigjet Autoritetit Palestinez.
Rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme, si dhe vendimi i GJND-së, i cili është një opinion këshillimor, nuk është detyrues, por ka peshë politike. mb/