• e enjte, 26 dhjetor 2024

KB-ja dhe rreth 50 vende e dënuan mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale ruse në territoret e okupuara ukrainase

KB-ja dhe rreth 50 vende e dënuan mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale ruse në territoret e okupuara ukrainase

Nju-Jork, 16 mars 2024 (MIA) - Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guteresh dhe rreth pesëdhjetë vende-anëtare të organizatës botërore e kanë dënuar mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale ruse në territoret e Ukrainës, të okupuara nga Rusia.

"Sekretari i përgjithshëm i dënon përpjekjet e Moskës që t'i organizojë zgjedhjet presidenciale në territoret ukrainase, të okupuara nga Federata ruse. Tentimi joligjor për aneksim të territoreve ukrainase nuk është valid sipas së drejtës ndërkombëtare", deklaroi zëdhënësi i sekretarit të përgjithshëm të KB-së, Stefan Dizharik.

Ai e përsëriti përkushtimin dhe përkrahjen e organizatës botërore për pavarësinë dhe integritetin territorial të Ukrainas.

Ndihmësja e sekertarit të përgjithshëm të KB-së për çështje politike, Rozmari Di Karlo, gjatë takimit në Këshillin e Sigurimit, kushtuar zgjedhjeve në Rusi, tha se mbajtja e tyre në territoret ukrainase, të kontrolluara nga Moska është "e papranueshme".

"Misioni vëzhgues i KB-së për të drejtat e njeriut në Ukrainë vlerësoi se të ashtuquajturat referendumi dhe zgjedhjet lokale më herët, janë mbajtur në ambient të detyrueshëm. Sipas së drejtës ndërkombëtare, forca okupatore, në këtë rast Federata ruse, është e obliguar t'i respektojë ligjet e Ukrainës në territoret e okupuara", shtoi Di Karlo.

Në deklaratën e përbashkët, e lexuar nga ambasadori ukrainas në KB, Serhij Kislicia, të më shumë se 50 vendeve, mes të cilave edhe SHBA-ja, Franca, Britania e Madhe, Japonia, Australia, Koreja e Jugut, po ashtu dënohet mbajtja e zgjedhjeve presidenciale ruse në disa rajone ukrainase.

"Organizimi i zgjedhjeve në vend-tjetër anëtar të KB-së pa miratimin e tij, është mosrespektim i qartë i parimeve të sovranitetit dhe integritetit territorial", thuhet në deklaratën e përbashkët, duke përkujtuar rezolutat e Asamblesë së KB-së për këtë çështje.

Asamblea e përgjithshme e KB-së deri tani në disa rezoluta e dënoi pushtimin rus në Ukrainë. Në tetor të vitit 2022, i dënoi aneksimet joligjore të rajoneve ukrainase Donjeck, Llugansk, Zaporozhje dhe Herson pas mbajtjes së referendumeve joligjore, duke cekur se këto aktivitete nuk kanë vlerë sipas së drejtës ndërkombëtare.

Ndihmësi i ambasadorit rus në KB, Dmitri Poljanski deklaroi se nuk do t'i komentojë tentimet "absolutisht të pafalshme" për involvim në punët e brendshme të vendit të tij.

"Kauza e jonë është e drejtë dhe do të fitojmë! Ato territore janë administrativisht dhe politikisht pjesë e Rusisë, pa marrë parasysh a i pëlqen kjo dikujt apo jo", tha Poljanski.

Zgjedhjet presidenciale në Rusi mbahen prej të premtes deri të dielën, ndërsa sipas vlerësimeve parazgjedhore, pothuaj është e sigurtë se Vlladimir Putin do të fitojë mandat të ri gjashtëvjeçar.

Në këto zgjedhje votojnë edhe banorët e katër rajoneve ukrainase - rajonet Donjeck, Llugansk, Zaporozhje dhe Herson, të cilat janë aneksuar nga Rusia në shtator të vitit 2022.

Sipas burimeve ruse, në pjesët e okupuara të rajoneve ukrainase Donjeck, Llugansk, Zaporozhje dhe Herson janë ftuar të votojnë gjithsej rreth 4,5 milionë njerëz. Në zgjedhje votojnë edhe banorët e Gadishullit të Krimesë në Detin e Zi, të cilin Moska e ka anektuar në vitin 2014. bsh/

Foto: EPA

QËNDRONI TË LIDHUR