• e enjte, 26 dhjetor 2024

KB: Situata humanitare në Liban është më e keqe se sa gjatë luftës me Izraelin në vitin 2006

KB: Situata humanitare në Liban është më e keqe se sa gjatë luftës me Izraelin në vitin 2006

Nju-Jork, 3 nëntor 2024 (MIA) - Kombet e Bashkuara kumtuan se situata humanitare në Liban tani është më e keqe se sa gjatë luftës së fundit me Izraelin para 18 viteve, lajmëroi DPA.

"Situata humanitare në Liban arriti nivele më serioze se sa në luftën e vitit 2006", thuhet në kumtesën e zyrës humanitare të KB-së, publikuar sot.

"Situata sërish eskaloi në ditët e fundit, me ç'rast armata izraelite i urdhëroi banorët e Baalbekut dhe Nabatisë t'i braktisin rajonet, mu para se të fillojnë sulmet ajrore", shtojnë nga KB.

Krahas kësaj, shumë spitale janë mbingarkuar dhe njoftojnë për nevojë urgjente për dhurim të gjakut, pas valës kritike të viktimave.

Sipas të dhënave të Ministrisë libaneze të Shëndetësisë, prej fillimit të luftimeve mes Izraelit dhe grupit shiit Hezbollah në Liban janë vrarë pothuajse 3.000 njerëz, ndërsa 13.000 janë plagosur. Në mesin e viktimave ka rreth 180 të mitur dhe pothuajse 600 gra.

Zyra humanitare e KB-së kumtoi se mbi 11.000 gra shtatzëna janë goditur nga lufta, ndërsa 1.300 prej tyre kanë kryer lindjet në kohën kur sistemi shëndetësor në Liban është në skaj të kolapsit. ab/

Foto: МIА arkivi

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR