• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

KB: Që nga fillimi i luftës në Gazë kanë lindur pothuajse 20.000 foshnja

KB: Që nga fillimi i luftës në Gazë kanë lindur pothuajse 20.000 foshnja

Gazë, 19 janar 2024 (MIA) - Kombet e Bashkuara sot kumtuan se që nga shpërthimi i luftës prej më shumë se tre muaj në Gazë në “kushte të pabesueshme” kanë lindur mijëra foshnje. 

Zëdhënësja e UNICEF-it, Tes Ingram pas kthimit nga vizita e fundit në Rripin e Gazës deklaroi se ajo atje ka parë nëna të gjakosura deri në vdekje, infermiere që kryente prerje cezariane pa anestezion ose mbi gra tashmë të vdekura.

Sipas UNICEF-it, Agjencisë për fëmijë të KB-së, madje rreth 20.000 foshnja kanë lindur gjatë luftës që filloi më 7 tetor pas një sulmi nga militantët palestinezë të udhëhequr nga Hamasi në jug të Izraelit.

Në këtë sulm kanë humbur jetën rreth 1.200 persona, shumica prej tyre civilë, ndërsa 240 u rrëmbyen dhe u dërguan në Gazë. Pastaj në sulmet ajrore, detare dhe tokësore të Izraelit në shenjë hakmarrje humbën jetën pothuajse 25.000 palestinezë, shumica prej të cilëve gra dhe fëmijë.

Ingram u tha gazetarëve në Gjenevë përmes video lidhjes nga Omani se në luftën e tmerrshme në Gazë në çdo dhjetë minuta lind nga një fëmijë, transmetojnë mediat franceze.

Ajo shtoi se lindja e një fëmije duhet të jetë një kohë për të festuar, ndërsa në Gazë kjo do të thotë që një fëmijë tjetër ka lindur në kohë ferri dhe theksoi nevojën për veprim urgjent të ndërkombëtarëve.

Foto: arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR