• e enjte, 26 dhjetor 2024

KB dënon fuqishëm represionin në Iran në përvjetorin e vdekjes së Mahsa Aminit

KB dënon fuqishëm represionin në Iran në përvjetorin e vdekjes së Mahsa Aminit

Gjenevë, 19 shtator 2023 (MIA) - Kombet e Bashkuara dënuan ashpër veprimet e sistemit të sigurisë iraniane në përvjetorin e parë të vdekjes së Mahsa Aminit, gruas së re kurde-iraniane, vdekja e së cilës vitin e kaluar shkaktoi protestat më të mëdha në Iran në dekadat e fundit, njoftoi DPA.

"Në muajin e kaluar autoritetet iraniane arrestuan dhjetëra mbrojtës të të drejtave të njeriut, që dukej të ishte një përpjekje e përbashkët për t'i dhënë fund protestave që shënuan përvjetorin e demonstratave të vitit të kaluar kundër vdekjes së Mahsa Aminit", thuhet në kumtesën e sotme të Kombeve të Bashkuara sot, raportohet nga agjencia gjermane. 

 Autoritetet deri  tani nuk kanë arritur të kryejnë një hetim të pavarur, të paanshëm dhe transparent për vdekjen e Aminit, theksohet në qëndrimin e KB-së.

Këtë të shtunë u shënua përvjetori i par i vdekjes së Mahsa Aminit.

Policia iraniane e arrestoi 22 vjeçaren për çështje morali, pasi dyshohej se nuk mbante shaminë siç duhet. Çfarë saktësisht ndodhi pas kësaj është ende e paqartë, por ajo më pas ra në koma dhe ndërroi jetë në spital. 

Mijëra njerëz u mblodhën për t'i dhënë lamtumiren e fundit Mahsa Aminit, ndërsa më pas duke filluar nga rajonet kurde, protestat u përhapën në mbarë vendin, thekson DPA. si/

Foto: arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR