Katërmbëdhjetë persona kanë humbur jetën nga rrëshqitja e dheut në një gurore në Indonezi, 11 rezultojnë të zhdukur
- Numri i të vdekurve nga një rrëshqitje dheu në një gurore gëlqerore në provincën Java Perëndimore të Indonezisë sot u rrit në 14, ndërsa ekipet e emergjencës vazhduan të kërkonin për të paktën 11 punëtorë që ende rezultojnë të zhdukur nën rrënoja, kumtoi policia.
- Post By Lindita Sulejmani
- 11:59, 31 maj, 2025
Xhakarta, 31 maj 2025 (MIA) - Numri i të vdekurve nga një rrëshqitje dheu në një gurore gëlqerore në provincën Java Perëndimore të Indonezisë sot u rrit në 14, ndërsa ekipet e emergjencës vazhduan të kërkonin për të paktën 11 punëtorë që ende rezultojnë të zhdukur nën rrënoja, kumtoi policia.
Rrëshqitja e dheut ndodhi dje herët në mëngjes në një gurore në zonën Çirebon, rreth 200 kilometra në lindje të Xhakartës.
Miniera Gunung Kuda ishte aktive kur një pjesë e kodrës u shemb, duke varrosur makineri të rënda, kamionë dhe dhjetëra punëtorë.

"Njëmbëdhjetë persona ende rezultojnë të zhdukur, ndërsa u raportuan nga familjet e tyre dhe kolegët, të cilët konfirmuan se kanë punuar në vendngjarjen kur ka ndodhur incidenti", deklaroi Dedi Setijava, shef i policisë në Javën Perëndimore.
"Gjetja e tyre mbetet një prioritet kryesor për ekipet tona të kërkimit dhe shpëtimit", shtoi ai.
Operacionet mbrëmë gjatë perëndimit të diellit u ndaluan përkohësisht dhe vazhduan sot herët në mëngjes.
Në përpjekjet e përbashkëta të shpëtimit morën pjesë edhe personeli nga Agjencia kombëtare për kërkim dhe shpëtim, policia, ushtria, zyrtarët lokalë për fatkeqësi dhe vullnetarë.
Besohet se të paktën tre ekskavator dhe gjashtë kamionë kanë mbetur nën rrëshqitjen e dheut, gjë që e vështirëson qasjen në shtresat më të thella të rrënojave. ls/
Foto: Skrinshot FB