Katër ditë zie kombëtare në Greqi për shkak të vdekjes së ish kryeministrit Simitis
- – Për shkak të vdekjes së ish kryeministrit grek Kostas Simitis, me vendim të Qeverisë, në Greqi janë shpallur katër ditë zie kombëtare, ndërsa varrimi do të bëhet të enjten me nderime si për kryeministër në funksion, informon korrespondentja e MIA-s nga Athina.
- Post By Fitore Curri
- 10:58, 6 janar, 2025
Athinë, 6 janar 2025 (MIA) – Për shkak të vdekjes së ish kryeministrit grek Kostas Simitis, me vendim të Qeverisë, në Greqi janë shpallur katër ditë zie kombëtare, ndërsa varrimi do të bëhet të enjten me nderime si për kryeministër në funksion, informon korrespondentja e MIA-s nga Athina.
Ish kryeministri i Greqisë dhe ish lider i PASOK, papritmas ndërroi jetë dje në mëngjes në moshën 88-vjeçare, ndërsa porosi me ngushëllime dërguan presidentja greke, kryeministri grek, lideri i PASOK, si dhe kryetarët e partive opozitare.
Zi kombëtare në Greqi shpallet për ngjarje tragjike siç ishte aksidenti hekurudhor në Tempi në vitin 2023 dhe zjarret katastrofale në afërsi të Athinës në vitin 2018, por edhe për vdekje të ish funksionari ose personalitet i rëndësishëm në vend, ndërsa parashihet që flamujt të jenë në gjysmështizë, mund të mbyllen edhe një pjesë e shërbimeve publike, si dhe shkollat, edhe pse në rastin konkret, për momentin, nuk ekziston vendim i tillë.
Edhe krahas ditës së zisë kombëtare prej katër ditëve, sot në Greqi festohet festa Uji i Bekuar dhe të gjitha manifestimet në vend mbahen rregullisht.
Simitis ishte kryeministër në periudhën nga janari i vitit 1996 deri në mars të vitit 2004 dhe ndër sukseset më të rëndësishme të tij ishte anëtarësimi i Greqisë në Eurozonë, ndërsa mandati i tij tetëvjeçar si kryeministër u lidh edhe me projektet e mëdha të infrastrukturës për përgatitjen e Lojërave Olimpike në Athinë në vitin 2004 dhe integrimi i Qipros në Bashkimin Evropian.
Në fund të tetorit të vitit 2000, si kryeministër i Greqisë, ai vizitoi Shkupin gjatë Konferencës së vendeve të Ballkanit dhe u takua me kryeministrin e atëhershëm të Maqedonisë Ljubço Georgievski dhe sipas raportimeve të mediave të asaj periudhe, kryetarët e dy qeverive atëherë diskutuan intensivisht për arritjen e zgjidhjes për emrin, ndërsa propozimi që ishte në tryezë ishte “Republika e Maqedonisë së Epërme”.
Si ish kryeministër, ai shpesh theksoi nevojën për të gjetur një zgjidhje për mosmarrëveshjen mes dy vendeve, por për Marrëveshjen e Prespës, në një fjalim të tij në Selanik, tha se “problemi duhej të ishte zgjidhur, por zgjidhja nuk është e kënaqshme”.
Simitis konsiderohej një politikan i matur në Greqi dhe është ndër kryeministrat më të rëndësishëm të vendit.
Në karrierën e tij politike, para se të bëhej kryeministër ka qenë ministër i Financave, Tregtisë, Arsimit, Industrisë dhe Energjetikës, ndërsa ka qenë deputet i Kuvendit të Greqisë për gati 24 vjet (nga viti 1985 deri në vitin 2009). fc/