• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Kancelari gjerman i kërkoi NATO-s në samitin në Vilnius që të përqëndrohet në forcimin e aftësive ushtarake të Ukrainës

Kancelari gjerman i kërkoi NATO-s në samitin në Vilnius që të përqëndrohet në forcimin e aftësive ushtarake të Ukrainës

Berlin, 22 qershor 2023 (MIA) - Kancelari gjerman Olaf Sholc sot nga foltorja në Bundestag u bëri thirrje liderëve të vendeve anëtare të NATO-s, në samitin në korrik në Vilnius, të fokusohen në përforcimin e kapaciteteve ushtarake të Ukrainës.

Qeveria ukrainase tha se nuk bëhet fjalë për anëtarësim në NATO derisa Rusia po zhvillon luftën e saj kundër Ukrainës, tha Sholc para legjislativit gjerman.

"Kjo është arsyeja pse unë propozoj në Vilnius të fokusohemi në atë që tani është një prioritet absolut, që është forcimi i aftësisë luftarake të Ukrainës", shtoi kancelari gjerman.

Ai i bëri thirrje gjithashtu presidentit turk Rexhep Taip Erdogan që Turqia të ratifikojë anëtarësimin e Suedisë në NATO.

"Unë besoj fuqishëm se Suedia, si një aleat i ri, duhet të ulet pranë Finlandës në tryezën e samitit", tha kancelari gjerman.

Sholc tha gjithashtu se duke filluar nga viti i ardhshëm, Gjermania do të arrijë objektivin e vendosur dhe do të lërë mënjanë dy për qind të BPV-së vjetore për nevojat e mbrojtjes, në përputhje me rekomandimet e NATO-s.

"Do të sigurojmë ushtri federale që përfundimisht ta marrë pajisjen e nevojshme", tha Sholc.

Kancelari kishte thënë më parë se Gjermania do ta përmbushte këtë objektiv në vitin 2025.

Vitin e kaluar, vetëm shtatë vende të NATO-s arritën qëllimin për të shpenzuar dy për qind të BPV-së së tyre për mbrojtjen, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Poloninë. sa/

foto. EPA

QËNDRONI TË LIDHUR