• e premte, 08 nëntor 2024

Kameron: Sunak është një lider i fortë dhe i aftë, edhe pse nuk kam qenë dakord me të në të kaluarën

Kameron: Sunak është një lider i fortë dhe i aftë, edhe pse nuk kam qenë dakord me të në të kaluarën

Londër, 13 nëntor 2023 (MIA) - Kryeministri Rishi Sunak është një "udhëheqës i fortë dhe i aftë", megjithëse në të kaluarën mund të mos isha dakord me disa nga vendimet e tij individuale, deklaroi sot ministri i jashtëm i sapoemëruar i Britanisë, Dejvid Kameron, duke shtuar se ai dëshironte të ishte pjesë e "ekipit më të fortë të mundshëmi" para zgjedhjeve të përgjithshme në Britaninë e Madhe.

Ai theksoi se shërbimet diplomatike dhe të inteligjencës janë ndër "pasuritë më të vlefshme të llojit të tyre" në botë.

"Që në mandatin tim, e di që aty punojnë njerëz brilantë, patriotë dhe punëtorë. Ata janë udhëhequr mirë nga Xhejms Kleverli, me të cilin mezi pres të punoj në rolin e tij të ri", tha Kameron.

Duke folur për situatën gjeopolitike me të cilën përballet si ministër i sapoemëruar, Kameron tha se ky është një moment ndryshimi i thellë global.

"Përballemi me një sërë sfidash të frikshme ndërkombëtare, duke përfshirë luftën në Ukrainë dhe krizën në Lindjen e Mesme. Në këtë kohë ndryshimi të thellë global, rrallë ka qenë më e rëndësishme që ky vend të qëndrojë me aleatët tanë, të forcojë partneritetet tona dhe të sigurojë që zërat tanë të dëgjohen", tha Kameron.

Kryeministri britanik Rishi Sunak më herët sot emëroi Kameronin si ministër të ri të jashtëm, si pjesë e riorganizimit të qeverisë. Ish sekretari i Jashtëm Xhejms Kleverli është emëruar ministër i Punëve të Brendshme, pas shkarkimit të ish ministres Suela Braverman. Ajo tha se policia kishte qenë "shumë e butë" ndaj "turmës pro palestineze", duke i quajtur demonstruesit që protestuan në mbështetje të Palestinës gjatë fundjavës "marshime urrejtjeje". sa/

foto: EPA

QËNDRONI TË LIDHUR