Kalas i bëri thirrje Izraelit të heq dorë nga planet për ndërtimin e lagjeve në Bregun Perëndimor
- Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për punë të jashtme dhe politikë të sigurisë Kaja Kalas, mbrëmë tha se vendimi i autoriteteve izraelite të vazhdojnë me planin për ndërtimin e lagjeve në zonën E1 plotësisht do ta minojë vendimin me dy shtete dhe do të paraqesë shkelje të së drejtës ndërkombëtare, thuhet në kumtesën e Shërbimit Evropian për Punë të Jashtme (EEAC).
- Post By Sara Ademi
- 08:24, 15 gusht, 2025
Bruksel, 15 gusht 2025 (MIA) - Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për punë të jashtme dhe politikë të sigurisë Kaja Kalas, mbrëmë tha se vendimi i autoriteteve izraelite të vazhdojnë me planin për ndërtimin e lagjeve në zonën E1 plotësisht do ta minojë vendimin me dy shtete dhe do të paraqesë shkelje të së drejtës ndërkombëtare, thuhet në kumtesën e Shërbimit Evropian për Punë të Jashtme (EEAC).
"Nëse realizohet, plani për vendbanime në këtë zonë përgjithmonë do ta ndërpresë lidhjen gjeografike dhe territoriale mes Jerusalemit lindor të pushtuar dhe Bregut Perëndimor, si dhe mes pjesëve veriore dhe jugore të Bregut Perëndimor", theksoi Kalas.
Ajo përsëriti apelin e saj për Izraelin menjëherë ta ndërpresë ndërtimin e lagjeve, duke theksuar se politikat e vendbanimeve, duke përfshirë prishjet, zhvendosjen e detyrueshme, dëbimet me forcë dhe sekuestrimin e shtëpive, duhet të ndalen.
"Së bashku me dhunën e vazhdueshme të kolonëve dhe operacionet ushtarake, këto vendime të njëanshme nxisin situatën tashmë të tensionuar në terren dhe dëmtojnë më tej çdo mundësi për paqe", tha ajo.
Kalas i bëri thirrje Izraelit të heq dorë nga ky veprim, duke paralajmëruar për pasojat e saj të gjera dhe duke theksuar nevojën për të ndërmarrë hapa për të ruajtur qëndrueshmërinë e zgjidhjes me dy shtete.
Planet për të miratuar një tender për ndërtimin e mbi 3,400 njësive të banimit në projektin kontrovers të vendbanimit E1 midis Jerusalemit dhe Maale Adumim në Bregun Perëndimor, të njoftuara dje nga ministri izraelit i Financave Bezalel Smotriç, kanë shkaktuar dënim të gjerë, raportoi "Tajms of Izrael".
Ministri i Financave i ekstremit të djathtë ka njoftuar planet për të miratuar një tender për ndërtimin e më shumë se 3,400 njësive të banimit në projektin kontrovers të vendbanimit E1 midis Jerusalemit dhe Maale Adumim në Bregun Perëndimor. Ai tha gjithashtu se plani do të "varroste idenë e një shteti palestinez".
Smotriç në një deklaratë tha se miratimi i planit për ndërtim është vazhdim i hapave që Izraeli i ndërmerr në terren si pjesë e de fakto planit për sovranitet që filloi të zbatohet me themelimin e qeverisë izraelite.
Projekti është ngrirë me dekada për shkak të kundërshtimit të ashpër të komunitetit ndërkombëtar, e cila druan se lagjja e re do ta bllokojë zgjidhjen e qëndrueshme për krijimin e shtetit palestinez.
Ndërtimi i mundshëm i vendbanimit në të ashtuquajturën zonë E1 do ta ndante Bregun Perëndimor në një rajon verior dhe jugor dhe do të pengonte zhvillimin e një metropoli palestinez që lidh Jerusalemin Lindor me Betlehemin dhe Ramallahun, të cilin palestinezët prej kohësh shpresojnë se do të ishte themeli i shtetit të tyre të ardhshëm.
Megjithatë, siç deklaroi organizata mbikëqyrëse e vendbanimeve "Paqe tani" (Peace Now), planet e miratuara nuk kanë të bëjnë me zonën origjinale E1, por me një vendbanim të veçantë në qytetin Maale Adumim.
"Në Maale Adumim 3.300 njësitë banesore përfaqësojnë një rritje prej 33 përqind në numrin e përgjithshëm të njësive në vendbanim, një zgjerim masiv për një vendbanim, popullsia e të cilit ka mbetur në vend në rreth 38,000 gjatë dekadës së fundit dhe ka vuajtur nga zhvendosja", tha organizata.
Organizata "Paqe tani" (Peace Now) shtoi se tenderët janë për një vendbanim të madh që do të lidhë zonën e ndërtuar të Maale Adumim me një zonë industriale në lindje. Planet për të ndërtuar një vendbanim që do të ndante Bregun Perëndimor kanë marrë dënime të gjera nga vende si Katari, Egjipti dhe Norvegjia, të cilat i kundërshtojnë planet, duke i quajtur ato një shkelje të së drejtës ndërkombëtare. sa/
foto: EPA