• e martë, 26 nëntor 2024

Kabineti i Osmanit i hodhi poshtë reagimet në kumtesën e AAC-së

Kabineti i Osmanit i hodhi poshtë reagimet në kumtesën e AAC-së

Prishtinë, 9 gusht 2024 (MIA) - Presidenca e Kosovës hodhi poshtë akuzat e Agjencisë së Aviacionit Civil (AAC) të Maqedonisë së Veriut, lidhur me incidentin e 1 gushtit me Presidenten Vjosa Osmani me sigurimin e aeroportit të Shkupit, duke vlerësuar se “RMV ka shkelur rregullat ndërkombëtare që zbatohen kudo në botë me kërkesën për të skanuar telefonin e presidentit të një shteti tjetër", njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Në reagimin e kabinetit të Osmanit, pas njoftimit të AAC-së, ku thuhet se shërbimet e aeroportit përgjegjës për kontrollet e sigurisë kanë vepruar sipas rregulloreve ndërkombëtare, thuhet se "në asnjë vend të botës kreut të shtetit nuk i kërkohet ta dorëzojë telefonin për skanim".

"Në vendet e tjera nuk kontrollohet as bagazhi personal dhe as çanta personale e kreut të shtetit, e lëre më telefoni personal. Ne si Presidencë kemi mjaft përvojë nga udhëtimet e tjera, nuk ka nevojë ta vërtetojmë, sepse askund, asnjëherë, as çanta personale, as valixhe (bagazhet personale) dhe as telefoni i kreut të shtetit nuk është kontrolluar", kumtoi kabineti i Osmanit.

Kabineti i Osmanit thekson se ndryshe nga pretendimet e AAC-së së Maqedonisë, "nuk ka asgjë profesionale në sjelljen e sigurimit" në aeroportin e Shkupit. Presidenca e Kosovës njofton gjithashtu se pas incidentit, Osmani nuk është kthyer nga udhëtimi nëpër aeroportin e Shkupit, pasi është vlerësuar se "pas propagandës së paparë (në opinionin e Maqedonisë), nuk ka kushte elementare të sigurisë për një gjë të tillë".

"Siç kemi thënë disa herë, presidentja e ka dorëzuar çantën për kontroll dhe ka kaluar në skaner. Çdo deklaratë tjetër është propagandë për qëllime politike. Nuk ka asgjë profesionale në sjelljen e një roje sigurie që i qëndron në rrugë një kreu të shtetit dhe i bllokon lëvizjen pasi vendos çantën në skaner. RMV ka shkelur rregullat ndërkombëtare që zbatohen kudo në botë duke kërkuar skanimin e telefonit të presidentit të një vendi tjetër, gjë që do të përbënte një shkelje të mundshme të sigurisë kombëtare. Presidentja nuk është kthyer në Kosovë përmes aeroportit të Shkupit, por ka ndërruar orarin e udhëtimit, sepse ekipi i saj i sigurisë ka gjykuar se pas propagandës së paprecedentë, nuk ka as kushtet elementare të sigurisë për një gjë të tillë", thuhet në reagim.

AAC-ja paraprakisht përmes një komunikate për media njoftoi se ekipi i inspektorëve të Agjencisë, të udhëhequr personalisht nga drejtori Dragi Stojanoski, kanë rishikuar provat dhe kanë kryer kontroll të jashtëzakonshëm në TAV Maqedoni, lidhur me ngjarjen fatkeqe në të cilën presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ishte përfshirë dhe se “shërbimet e sigurisë së aeroportit kanë vepruar në mënyrë profesionale dhe në përputhje me rregullat dhe praktikat ndërkombëtare në këtë rast".

"Gjatë kontrollit fillestar, u konstatua se shërbimet e aeroportit përgjegjës për kontrollet e sigurisë, në përputhje me përgjegjësitë e tyre të punës, kanë vepruar në mënyrë profesionale dhe kanë respektuar rregullat e vendosura sipas rregulloreve ndërkombëtare të zbatuara, duke mos lejuar as anashkalimin e standardeve dhe procedurave nën presionin e personave që e shoqëronin pasagjerin", thuhet në reagimin e AAC-së.

Refuzimi për të kryer kontrollet standarde të sigurisë me të njëjtët pasagjerë, nga AAC theksojnë se sipas të dhënave, ka ndodhur edhe në vitin 2022 dhe 2023 kur kontrollet e sigurisë pranohen vetëm pasi piloti i aeroplanit ka refuzuar të pranojë pasagjerë në aeroplan pa u kryer një kontroll sigurie. sa/

Foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR