Këshilli për punë të përgjithshme duhet të miratojë konkluzione për procesin e zgjerimit të BE-së
- Konkluzionet për procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian, përgatitjet për Samitin e BE-së të caktuar për të enjten, programi për punë i Komisionit Evropian dhe udhërrëfyesit për Semestrin Evropian për vitin 2025, si dhe marrëdhëniet e bllokut me Britaninë e Madhe dhe Zvicrën, do të jenë tema kryesore në mbledhjen e sotme të Këshillit për Punë të Përgjithshme të Unionit (GAK).
- Post By Sara Ademi
- 07:55, 17 dhjetor, 2024
Bruksel, 17 dhjetor 2024 (MIA) - Konkluzionet për procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian, përgatitjet për Samitin e BE-së të caktuar për të enjten, programi për punë i Komisionit Evropian dhe udhërrëfyesit për Semestrin Evropian për vitin 2025, si dhe marrëdhëniet e bllokut me Britaninë e Madhe dhe Zvicrën, do të jenë tema kryesore në mbledhjen e sotme të Këshillit për Punë të Përgjithshme të Unionit (GAK).
Në margjinat e mbledhjes paradite do të mbahet Konferenca e tretë inkuadruese ndërqeveritare BE-Shqipëri. Në parambrëmjen e GAK, mbrëmë, sërish u mbajt Konferenca e 17-të ndërqeveritare BE-Mali i Zi.
Është parashikuar që ministrat ose sekretarët shtetëror për çështje evropiane të vendeve anëtare të shkëmbejnë mendime për procesin e zgjerimit të BE-së, në bazë të pakos së raporteve të Komisionit Evropian për progresin e vendeve kandidate për anëtarësim të publikuar më 30 tetor të këtij viti.
Ministrat do të shqyrtojnë progresin e arritur dhe duhet t'i miratojnë konkluzionet e Këshillit për zgjerim, të cilat janë krijuar për ta vlerësuar situatën e kandidatëve për anëtarësim në BE dhe të vendosin udhëzime për prioritetet e tyre reformuese.
Siç theksohet në njoftimin për Këshillin në vitin 2024 kishte disa etapa në procesin e zgjerimit të BE-së, i cili vitet e fundit mori një vrull të ri të rëndësishëm.
Përkujtohet se në Samitin e BE-së më 21 dhe 22 mars ishte miratuar vendim për fillimin e negociatave inkuadruese me Bosnja e Hercegovinën, ndërsa më 25 qershor u mbajtën konferencat e para ndërqeveritare me Ukrainën dhe Moldavinë, me të cilën ata i hapën negociatat për anëtarësim. Më 15 tetor Shqipëria hapi klasterin "Vlerat Themelore", ndërsa në Konferencën ndërqeveritare të planifikuar për sot pritet vendi ta hapë klasterin "Marrëdhëniet e Jashtme".
Më 26 qershor BE-ja solli konkluzion se Mali i Zi i ka plotësuar dispozitat e përkohshme të vendosura në kapitullin "Sundimi i ligjit" me të cilin filloi procesi i mbylljes së tij, ndërsa mbrëmë vendi përkohësisht mbylli edhe tre kapituj.
"Në mbledhjen e 27 qershorit të vitit 2024, Këshilli Evropian u pajtua për Agjendën strategjike 2024-2029, e cila i vendos prioritetet dhe orientimet strategjike të BE-së për ciklin e ri institucional. Në dokument theksohet se realiteti i ri gjeopolitik thekson vlerën e zgjerimit si investim gjeostrategjik në paqe, siguri, stabilitet dhe prosperitet. Këshilli, gjithashtu, thekson se ka dinamikë të re në procesin e zgjerimit dhe theksoi se edhe BE-ja dhe vendet aspirante për anëtarësim tani kanë përgjegjësi maksimale për ta shfrytëzuar këtë mundësi", shtohet në njoftim.
Në kuadër të përgatitjeve të Samitit të dhjetorit të BE-së, GAK do të diskutojë për draft-konkluzionet e takimit në të cilin pritet që liderët evropian të diskutojnë të gjitha dimensionet e agresionit rus ndaj Ukrainës dhe mbështetjen e Unionit për Kievin, për situatën në lindjen e Mesme, për ngjarjet në Gjeorgji dhe Moldavi, për raportin e ish presidentit finlandez Sauli Ninisto për qëndrueshmërinë dhe gatishmërinë e bllokut për përgjigje të krizave dhe për migrimin, ndërsa do të mbajnë edhe diskutim strategjik për rolin e Bashkimit Evropian në botë.
Në Samitin e BE-së duhet të miratohen edhe konkluzionet për zgjerim që sot duhet t'i miratojë GAK për udhëzimet strategjike për ligjvënien dhe planifikimin operativ në fushën e lirisë, sigurisë dhe drejtësisë.
Ministrat anëtarë të GAK do të shkëmbejnë mendime edhe për programin për punën e Eurokomisionit për vitin 2025, ndërsa kryesimi aktual hungarez dhe i ardhshëm polak me Këshillin e BE-së do të paraqesin udhërrëfyesin për Semestrin Evropian në vitin 2025. Qëllimi i udhërrëfyesit është të sigurohet se të gjithë Këshillat përkatës të BE-së dhe organet e tyre përgatitore punojnë në mënyrë të koordinuar dhe të qëndrueshme në mënyrë që të përgatisë tërësisht debatet e Këshillit Evropian dhe të mundësojnë që Komiteti i përfaqësuesve të përhershëm të vendeve anëtare (Koreper) dhe Këshilli për punë të përgjithshme ta mbikëqyrin të gjithë procesin.
Pjesëmarrësit e mbledhjes së GAK do të shkëmbejnë mendime edhe për të ardhmen e Evropës, me fokus të kapitullit "Përforcimi i qeverisjes", nga raporti i ish kryeministrit italian Mario Dragi të titulluar "E ardhmja e konkurencës evropiane", në të cilën është theksuar se strategjia e re industriale e bllokut nuk mund të jetë e suksesshme pa reforma të njëkohshme të strukturës dhe funksionimit institucional të BE-së. sa/
Foto: Arkivi i MIA-s