Këshilli i Sigurimit i OKB-së nga sot ka pesë anëtarë të rinj jo të përhershëm
- Nga sot Greqia, Danimarka, Pakistani, Panamaja dhe Somalia janë anëtarë të rinj jo të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së me mandat dyvjeçar.
Nju-Jork, 1 janar 2025 (MIA) – Nga sot Greqia, Danimarka, Pakistani, Panamaja dhe Somalia janë anëtarë të rinj jo të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së me mandat dyvjeçar.
Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka 15 anëtarë, pesë prej të cilëve janë të përhershëm me të drejtë vetoje - Franca, Britania e Madhe, SHBA-ja, Kina dhe Rusia, ndërsa 10 zgjidhen për një periudhë dyvjeçare, por në mënyrë që nga pesë anëtarë zëvendësohen çdo vit.
Anëtarët jo të përhershëm zgjidhen në bazë rajonale.
Në vitet tek në Këshillin e Sigurimit të OKB-së hyjnë nga një vend nga Afrika, Azia dhe Amerika Latine dhe dy nga grupi i vendeve perëndimore, ndërsa në vitet çift dy vende nga Afrika dhe nga një nga Azia, Amerika Latine dhe Evropa Lindore. Një vit çift është fillimi i mandatit edhe për një anëtar arab.
Nga anëtarët e rinj jo të përhershëm, më shumë përvojë ka Pakistani, i cili sot fillon mandatin e tij të tetë si anëtar jo i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB-së, i ndjekur nga Panamaja, e cila hyn për herë të gjashtë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Danimarka është për herën e pestë, për Greqinë e treta, ndërsa Somalia ka përvojën më të vogël, e cila për herë të dytë hyri në mesin e dhjetë anëtarëve jo të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Më shumë se një e treta e shteteve anëtare të OKB-së nuk janë përfaqësuar kurrë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
Nga sot, anëtarët e rinj jo të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së i bashkohen Sllovenisë, Algjerisë, Guajanës, Koresë së Jugut dhe Sierra Leones, të cilat janë anëtarë jo të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që nga viti i kaluar.
Mandati i përfaqësuesve të Ekuadorit, Japonisë, Maltës, Mozambikut dhe Zvicrës përfundoi më 31 dhjetor 2024. ls/
Foto: Arkivi i MIA-s