Të paktën 30 të vdekur në sulmet e sotme izraelite në Rripin e Gazës
- Të paktën 30 persona, mes të cilëve edhe fëmijë, janë vrarë mbrëmë dhe mëngjesin e sotëm në sulmet izraelite në Rripin e Gazës, sipas stafit të spitalit Al-Aksa në Deir al-Balah.
Gazë, 3 janar 2025 (MIA) - Të paktën 30 persona, mes të cilëve edhe fëmijë, janë vrarë mbrëmë dhe mëngjesin e sotëm në sulmet izraelite në Rripin e Gazës, sipas stafit të spitalit Al-Aksa në Deir al-Balah.
Stafi i spitalit kumtoi se më shumë se 10 gra dhe fëmijë u vranë në sulmet izraelite në vende të ndryshme në pjesën qendrore të Gazës, i cili drejtohet nga Hamasi palestinez, duke përfshirë qytetet Nusejrat, Zavaida, Magazi dhe Deir al-Balah.
Në sulmet e djeshme izraelite në atë enklavë palestineze kanë vdekur edhe disa dhjetëra njerëz.
Ushtria izraelite nuk komentoi mbi sulmet e fundit, por në kumtesën e sotme theksoi se ditën e kaluar ka goditur dhjetëra pozicione të Hamasit në të gjithë Gazën, në zonat ku organizata ekstremiste planifikoi dhe kreu sulme. Ushtria kumtoi se kishte marrë masa për të lehtësuar vuajtjet civile, të tilla si përdorimi i municioneve precize dhe mbikëqyrja ajrore.
Sulmet e djeshme izraelite kishin në shënjestër përfaqësuesit e sigurisë së Hamasit dhe zonën humanitare të shpallur nga Izraeli. Gazetari i pavarur Omar al-Daravi u vra në sulme herët në mëngjes.
Në të njëjtën kohë me sulmet izraelite në Rripin e Gazës, herët në mëngjes në Izrael u dëgjuan sirena për sulm ajror për shkak të sulmeve me raketa nga Jemeni.
Deri më tani nuk ka informacione për të lënduar apo dëme materiale, megjithëse në Jerusalem është dëgjuar një shpërthim i dobët, me shumë gjasa nga një projektil apo përgjues. Ushtria izraelite kumtoi se është rrezuar një raketë.
Negociatat mes Izraelit dhe Hamasit pritet të vazhdojnë sot në Katar me ndërmjetësimin e SHBA-së.
Këto negociata ishin vazhdimisht në ngecje gjatë luftës 15-mujore, të shkaktuar nga një sulm ndaj Izraelit nga ekstremistët palestinezë të udhëhequr nga Hamasi më 7 tetor 2023. Atë ditë, ekstremistët vranë rreth 1.200 njerëz, kryesisht civilë, dhe rrëmbyen rreth 250. Rreth 100 pengje janë ende në Gazë, ndërsa besohet se një e treta janë të vdekur.
Izraeli filloi menjëherë një ofensivë në Rripin e Gazës në shenjë hakmarrjeje, duke vrarë më shumë se 45,500 palestinezë.
Ushtria izraelite pohon se sulmon vetëm ekstremistët dhe fajëson Hamasin për vdekjet e civilëve, sepse luftëtarët e saj veprojnë në zona me popullsi të dendur. Ushtria izraelite pohon se ka vrarë 17.000 ekstremistë, por nuk ofron asnjë provë.
Lufta ka çuar në shkatërrimin e pjesës më të madhe të Rripit të Gazës dhe zhvendosjen e rreth 90 për qind prej 2,3 milionë banorëve të enklavës. ls/
Foto: Arkivi i MIA-s