• e shtunë, 23 nëntor 2024

Këshilli i BE-së i ka zgjatur për gjashtë muaj sanksionet ndaj personave dhe subjekteve të lidhura me luftën në Ukrainë

Këshilli i BE-së i ka zgjatur për gjashtë muaj sanksionet ndaj personave dhe subjekteve të lidhura me luftën në Ukrainë

Bruksel, 13 mars 2023 (MIA) – Këshilli i Bashkimit Evropian sot e ka vazhduar edhe për gjashtë muaj të tjerë vlefshmërinë e sanksioneve të vendosura ndaj atyre që janë përgjegjës për cenimin ose kërcënimin e integritetit territorial, sovranitetit dhe pavarësisë së Ukrainës.

Me vendim të Këshillit, kohëzgjatja e sanksioneve zgjatet deri më 15 shtator 2023 dhe këto masa kufizuese përfshijnë 1473 persona dhe 205 subjekte. Sanksionet për personat fizik konsistojnë në ndalimin e udhëtimit në vendet e BE-së, ndërsa masa të tjera janë ngrirja e aseteve në territorin e BE-së dhe ndalimi i dhënies së qasjes në fonde dhe burime të tjera ekonomike personave dhe subjekteve nga lista e sanksionuar, theksohet në kumtesën e Këshillit të BE-së.

Pas 24 shkurtit 2022, kur filloi pushtimi rus i Ukrainës, BE-ja zgjeroi në mënyrë dramatike sanksionet ekzistuese kundër Rusisë në mënyrë që të dobësonte ndjeshëm bazën ekonomike të vendit, t'i privonte qasjen në teknologjitë dhe tregjet kritike dhe të reduktonte ndjeshëm aftësinë e saj për të udhëhequr lufte.

Këshilli i BE-së vlerësoi se agresioni rus kundër Ukrainës përfaqëson një "shkelje flagrante të Kartës së Kombeve të Bashkuara" dhe se ka shkaktuar "vuajtje dhe shkatërrim të madh" të Ukrainës dhe popullit të saj.

 “Rusia duhet të përfundojë menjëherë luftën e saj të tmerrshme”, shtohet në kumtesën e Këshillit të BE-së. ls/

QËNDRONI TË LIDHUR