Janevska: Konvikti i studentëve "Pellagonia" do të rregullohet me udhëheqësinë e re
- Konvikti studentor "Pellagonia" në Shkup ka udhëheqësi të re dhe do të rregullohet, tha ministrja e Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska. Në konferencën për media në Manastir, ajo tha se problemi në atë konvikt është shumë serioz.
- Post By Sara Ademi
- 15:58, 29 nëntor, 2024
Manastir, 29 nëntor 2024 (MIA) - Konvikti studentor "Pellagonia" në Shkup ka udhëheqësi të re dhe do të rregullohet, tha ministrja e Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska. Në konferencën për media në Manastir, ajo tha se problemi në atë konvikt është shumë serioz.
"E gjetëm konviktin me borxh prej 34 milionë denarë. Në këtë kohë po tentojmë të paguajmë pagat e punonjësve. Prej disa ditësh ka një udhëheqësi të re, në krye me një grua që, shpresoj, si nënë dhe një grua energjike, do të fillojë të rregullojë konviktin. Është thelbësore që studentëve t'u sigurohet ujë i ngrohtë, ushqim dhe të rregullohet më tutje", tha Janevska.
Lidhur me rindërtimin e konvikteve shtetërore, ministrja tha se “Ministria do të rindërtojë plotësisht edhe konviktin e studentëve në Manastir, pasi të përfundojë rindërtimi i dy konvikteve studentore në Shkup”.
"Për fat të keq, llogaritjet e bëra më parë thanë se të gjitha konviktet e studentëve në vend mund të rikonstruohen me mjetet e parashikuara, por kjo nuk është e vërtetë dhe ato mjaftojnë vetëm për dy konviktet studentore që janë hapur. Kjo Qeveri ka dhënë një hua shtesë për rindërtimin e të gjitha konvikteve studentore dhe do t'i rindërtojmë të gjitha, por edhe konviktet e nxënësve do të vijnë në rend që të gjithë të kenë kushte të mira jetese dhe mësimi", tha Janevska gjatë vizitës në shkollën e mesme teknike "Gjorgi Naumov" në Manastir, e cila u promovua në Qendrën Rajonale për Arsim Profesional në Pellagoni.
Në pyetjen e një gazetari lidhur me shfaqjen e segregacionit në disa shkolla fillore në mbarë vendin, ministrja theksoi se problemi do të tejkalohet me ndryshimet në Ligjin për arsimin fillor. sa/
Foto: MIA/ Arkivi i MIA-s