• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Janë gjetur edhe dy trupa në Jabllanicë të Poshtme, numri i viktimave nga përmbytjet në BeH është rritur në 20

Janë gjetur edhe dy trupa në Jabllanicë të Poshtme, numri i viktimave nga  përmbytjet në BeH është rritur në 20

Sarajevë, 6 tetor 2024 (MIA) - Shërbimet e shpëtimit sot në Jabllanicë të Poshtme kanë gjetur trupat e dy viktimave të tjera nga përmbytjet katastrofike që goditën këtë rajon në Bosnjë dhe Hercegovinë. Me këtë, numri i përgjithshëm i viktimave nga përmbytjet në BeH është rritur në 20.

Sabahudin Spahoviq nga Mbrojtja civile ka theksuar se trupat e një gruaje dhe një burri janë gjetur nën rrënojat në Jabllanicës së Poshtme.

Ekipet e shpëtimit edhe sot vazhdojnë gërmimin dhe kërkimin e trupave dhe në këtë mision ndihmojnë shumë kolegë, vullnetarë dhe qytetarë.

Ekipet e shpëtimit nga shtetet fqinje të BeH dhe anëtarët e Bashkimit Evropian bashkuan forcat sot për të pastruar rrënojat dhe për të gjetur të zhdukurit në përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut që shkatërruan pjesë të vendit të Ballkanit Perëndimor.

Sipas zyrtarëve, të paktën 10 persona janë ende të zhdukur, shumë prej tyre nga fshati Jabllanicë e Poshme, i cili është bllokuar pothuajse plotësisht.

Vendasit thonë se kanë dëgjuar një zhurmë të madhe dhe kanë parë shtëpitë që po zhdukeshin nga rrëshqitja e dheut para syve të tyre.

Luixhi Soreca, i cili kryeson misionin e BE-së në Bosnje, tha se BE qëndron në solidaritet me BeH-në dhe se ekipet janë në rrugën e tyre për të ndihmuar.

Autoritetet njoftuan se tashmë kanë mbërritur ekipet kroate të shpëtimit dhe pritet të vendosen ekipe nga Serbia dhe Sllovenia me qen të trajnuar posaçërisht.

Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Polonia, Republika Çeke dhe Turqia kanë ofruar gjithashtu ndihmë, theksoht në kumtesën e qeverisë.

Ndryshe, sot në BeH po mbahen zgjedhjet lokale, por autoritetet kanë vendosur të shtyjnë votimin në rajonet e prekura nga përmbytjet. mb/

Foto: EPA

 

QËNDRONI TË LIDHUR