• e mërkurë, 04 shkurt 2026

Izraeli rihap vendkalimin kufitar Rafah në "në bazë prove"

Izraeli rihap vendkalimin kufitar Rafah në

 Tel Aviv, 1 shkurt 2026 (MIA) - Vendkalimi kufitar Rafah midis Egjiptit dhe Rripit të Gazës u rihap sot, pas pothuajse një viti, por me kufizime të konsiderueshme, raportojnë mediat izraelite.

Lëvizja e njerëzve do të lejohet nga nesër, ndërsa ende po zhvillohen bisedime për procedurat e sigurisë dhe operative, raportoi portali izraelit "Jnet", duke deklaruar se kalimi aktualisht funksionon vetëm "në bazë prove". 

Zëdhënësja izraelite konfirmoi raportin, ndërsa burime palestineze thanë se në fazën fillestare, rreth 50 pacientë do të lejohen të largohen nga Rripi i Gazës, së bashku me shoqëruesit e tyre. 

 Nga ana tjetër, burime të sigurisë egjiptiane thonë se Izraeli ende nuk e ka hapur anën palestineze të vendkalimit. Ushtria izraelite mban kontrollin e kufirit pas një armëpushimi në tetor, i cili pasoi më shumë se dy vjet luftë.

Sipas të njëjtave burime, hapja e vendkalimit për lëvizjen e njerëzve është shtyrë deri të hënën, që do të thotë se sot asnjë palestinez nuk do të jetë në gjendje të largohet nga Gaza, ndërsa periudha e provës do të shërbejë për të testuar funksionimin e tij. 

Vlerësohet se nga nesër, çdo ditë do të mund të largohen nga Gaza rreth 150 persona, ndërsa rreth 50 do të kenë leje të kthehen në territorin e shkatërruar palestinez. 

Rihapja e vendkalimit është pjesë e planit të paqes për Gazën të presidentit amerikan Donald Tramp. 

 Autoritetet izraelite kanë thënë se vetëm rreth 42.000 palestinezë që janë larguar nga Gaza gjatë luftës do të lejohen të rihyjnë përmes këtij vendkalimi.

Sipas autoriteteve shëndetësore në Rripin e Gazës, rreth 20.000 palestinezë të sëmurë për momentin presin leje për të udhëtuar në Egjipt për trajtim, prej të cilëve 440 janë në gjendje kritike dhe jeta e tyre është në rrezik. 

 Në listën emergjente  ndidhen edhe rreth 4.000 pacientë me kancer dhe 4.500 fëmijë.

Hyrja dhe dalja nga Gaza do të miratohen në bashkëpunim me Egjiptin, me kontrolle sigurie nga Izraeli dhe shqyrtime shtesë nga një mision i Bashkimit Evropian. 

Deri më tani, përmes vendkalimeve kufitare me Izraelin ishte lejuar vetëm hyrje e kufizuar të ndihmës humanitare në Rripin e shkatërruar të Gazës. 

Foto: DPA 

 

QËNDRONI TË LIDHUR