• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Izraeli në gjendje gatishmërie: Mijëra ushtarë u transferuan në veri për shkak të frikës nga hakmarrja e Hezbollahut

Izraeli në gjendje gatishmërie: Mijëra ushtarë u transferuan në veri për shkak të frikës nga hakmarrja e Hezbollahut

Jerusalem, 19 shtator 2024 (MIA) – Armata izraelite e zhvendosi divizionin e 98-të në veri të Izraelit me vendim qeveritar. Ky grup luftoi deri vonë në Rripin e Gazës.

Vendimi për zhvendosjen e divizionit, vetëm një ditë pas shpërthimeve të pajisjeve të komunikimit në Liban dhe Siri, për të cilat akuzohet Izraeli dhe pas kërcënimeve për hakmarrje nga Hezbollahu, përfshin shpërndarje të forcave të mëdha në kufirin verior.

Shefi i komandës veriore të IDF-së, gjeneral – major Uri Gordin, tha se IDF është e “vendosur ta ndryshojë gjendjen e sigurisë sa më shpejtë që është e mundur”.

“Komandantët dhe forcat janë në tërësi të përkushtuar dhe janë në krye të gatishmërisë për çdo detyrë të cilën do të duhet ta kryejnë”, tha Gordin.

Besohet se divizioni i 98-të ka mijëra ushtarë, përfshirë edhe njësitë e këmbësorisë me parashutë dhe artileri dhe komando elitare të trajnuar special për operacione pas linjave armiqësore. Dislokimi i tyre ishte konfirmuar nga një përfaqësues zyrtar. 

Divizioni luajti rol kyç në Gazë, duke i udhëhequr operacionet e armatës në qytetin jugor Kan Junis, bastion i Hamasit. Ofensiva u shkaktoi humbje të mëdha luftëtarëve dhe tuneleve të Hamasit, por gjithashtu shkaktoi edhe dëme të mëdha dhe rezultoi me shumë viktima në civilë. Izraeli thotë se Hamasi i rrezikon civilët duke u fshehur në zona të banuara. 

Ushtria, gjithashtu, njoftoi se këtë javë ka kryer një varg stërvitjesh përgjatë kufirit. 

“Misioni është i qartë. Jemi të vendosur që ta ndryshojmë realitetin e sigurisë sa më shpejtë që është e mundur”, deklaroi gjeneral – major Ori Gordin, i cili e udhëheq komandën veriore të Izraelit.

Krahas kësaj, IDF vendosi për rekrutim të kufizuar të personelit rezervë që do të dislokohet në veri në rast të përshkallëzimit, duke përfshirë edhe mbrojtje ajrore, komandë të frontit dhe personel të korit mjekësor.

Të paktën 20 persona humbën jetën, ndërsa më shumë se 450 janë plagosur në valën e dytë të shpërthimeve të pajisjeve për komunikim pa tela në Liban. Një ditë më parë, të paktën 12 persona humbën jetën, ndërsa 2.750 ishin plagosur, kur shpërthyen mijëra pejxher të cilët i shfrytëzonin anëtarët e Hezbollahut. fc/

Fotografia: IDF

QËNDRONI TË LIDHUR