Izraeli kumtoi se ka filluar operacione të kufizuara tokësore në Gaza
- Forcat e armatosura izraelite sot kumtuan se forcat e saja kanë filluar mbrëmë operacione të kufizuara tokësore në Rripin e Gazës kundër militantëve palestinezë, ndërsa sulmet ajrore janë fokusuar në vendet ku luftëtarët e lëvizjes radikale islamike Hamas janë mbledhur për të luftuar kundër invazionit të mundshëm izraelit.
- Post By Fami Bajrami
- 15:59, 23 tetor, 2023
Tel Aviv, 23 tetor 2023 (MIA) - Forcat e armatosura izraelite sot kumtuan se forcat e saja kanë filluar mbrëmë operacione të kufizuara tokësore në Rripin e Gazës kundër militantëve palestinezë, ndërsa sulmet ajrore janë fokusuar në vendet ku luftëtarët e lëvizjes radikale islamike Hamas janë mbledhur për të luftuar kundër invazionit të mundshëm izraelit.
Ushtria izraelite shtoi se në 24 orët e fundit ka goditur më shumë se 320 caqe në Rripin e Gazës përfshirë edhe një tunel ku janë vendosur luftëtarët e Hamasit, dhjetëra pika komandimi dhe vëzhgimi, si dhe fole mortajash dhe sisteme raketore antitanke.
Zëdhënësi i ushtrisë izraelite Daniel Hagari theksoi se forcat e armatosura konfirmuan se 222 persona u morën peng gjatë sulmit të Hamasit më 7 tetor.
Krahu i armatosur i Hamasit, Brigada Izedin Al- Kasam, kumtoi se luftëtarët e saj u përplasën me forcat izraelite në Rripin e Gazës dhe u kthyen në bazën e tyre pasi shkatërruan pajisjet ushtarake izraelite.
Në kumtesën e Grupit palestinez thuhet se forcat e blinduara izraelite hyrën në pjesën jugore të Gazës, në lindje të qytetit Kan Junis. “Luftëtarët u përplasën me forcat infiltruese, shkatërruan dy buldozerë dhe një tank dhe i detyruan të tërhiqen, pas së cilës u kthyen me sukses në bazën e tyre”, thuhet në kumtesë.
foto: arkivi