• e hënë, 31 mars 2025
Shqip
  • English
  • Shqip
  • Македонски

Izraeli dhe Hamasi arritën marrëveshje për armëpushim dhe lirimin e pengjeve (PLT)

Izraeli dhe Hamasi arritën marrëveshje për armëpushim dhe lirimin e pengjeve (PLT)

Uashington, 15 janar 2025 (MIA) - Izraeli dhe Hamasi kanë arritur marrëveshje për armëpushim dhe lirimin e pengjeve në Gazë, konfirmoi sot një përfaqësues zyrtar amerikan, në ditët e fundit të presidencës së Xho Bajden.

Marrëveshja u njoftua më parë nga një burim i informuar për bisedimet në Katar, ndërsa u mirëprit nga pasardhësi i Bajdenit, Donald Tramp.

Presidenti i sapozgjedhur amerikan, Donald Tramp deklaroi se ekziston një marrëveshje për pengjet e mbajtura nga grupi palestinez Hamas në Rripin e Gazës.

"Kemi një marrëveshje për pengjet në Lindjen e Afërt. Ata do të lirohen së shpejti", ka shkruar Tramp në rrjetin social “Trut” (Truth).

Mediat perëndimore raportuan se palestinezët po festojnë në Rripin e Gazës.

I dërguari i ardhshëm i posaçem i Trampit për Lindjen e Afërt, Stiv Vitkof, mori pjesë së bashku me përfaqësuesit e qeverisë së presidentit aktual amerikan Xho Bajden në negociatat e udhëhequra nën patronazhin e Katarit dhe Egjiptit për t'i dhënë fund luftës në Rripin e Gazës.

Presidenti i sapozgjedhur amerikan, i cili e merr detyrën të hënën, tha gjithashtu se do të punojë me Izraelin dhe aleatët për të siguruar që Gaza "nuk do të jetë më kurrë një oazë për terroristët".

Sipas marrëveshjes midis Izraelit dhe Hamasit, 33 pengje do të lirohen në fazën e parë të lirimit të pengjeve, e cila do të zgjasë gjashtë javë, ndërsa të paktën tre lirohen çdo javë.

Tre zyrtarë amerikanë dhe një zyrtar i Hamasit konfirmuan se një marrëveshje është arritur, ndërsa një zyrtar i lartë izraelit tha se disa detaje ende janë duke u përpunuar. Çfarëdo marrëveshje të arrihet, ajo duhet të miratohet nga qeveria e kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu, por pritet të hyjë në fuqi në ditët në vijim. Marrëveshja pritet të përfshijë një ndërprerje fillestare 6-javore të luftimeve, shoqëruar me fillimin e negociatave për një ndërprerje të plotë të luftës, njoftuan mediat amerikane.

Lufta midis Izraelit dhe Hamasit filloi më 7 tetor 2023. Sipas të dhënave izraelite, rreth 1200 njerëz u vranë, ndërsa rreth 250 pengje u morën në robëri në Rripin e Gazës.

Sipas informacioneve nga Ministria e Shëndetësisë e Hamasit, mbi 46.000 palestinezë kanë vdekur në ofensivën izraelite në enklavën bregdetare. ls/

Foto: EPA

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR