• e premte, 27 dhjetor 2024

Izraeli është dakorduar për armëpushim me Hezbollahun

Izraeli është dakorduar për armëpushim me Hezbollahun

Tel-Aviv, 26 nëntor 2024 (MIA) - Qeveria izraelite sonte në një seancë qeveritare do të votojë zyrtarisht armëpushimin me grupin islamik Hezbollah, me të cilin është në luftë për më shumë se një vit, konfirmoi kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu.

Duke iu drejtuar publikut, ai tha se ky nuk është fundi i luftës, duke shtuar se lufta nuk ka fund derisa të gjithë izraelitët që ikën për shkak të sulmeve me raketa të Hezbollahut vitin e kaluar të kthehen në shtëpitë e tyre në veri të vendit. Ai tha gjithashtu se Izraeli tani do të fokusohet në kërcënimin e paraqitur nga Irani.

Netanjahu e filloi fjalimin e tij duke iu drejtuar banorëve refugjatë të Izraelit verior, duke thënë se është krenar për këmbënguljen dhe qëndrueshmërinë e tyre. Ai tha se falë guximit të Forcave izraelite të Mbrojtjes janë arritur suksese të mëdha. Sipas tij, veprimi i IDF pasqyron fuqinë e Izraelit në Lindjen e Mesme.

"Në Liban, Hezbollahu nuk është më i njëjti", tha Netanjahu, duke shtuar se ushtria izraelite ka vrarë komandantë të lartë dhe Nasrallahun, ish-udhëheqës i Hezbollahut.

Izraeli gjithashtu shkatërroi infrastrukturën e Hezbollahut dhe "sulmoi objektivat kryesore", shtoi ai. Netanjahu theksoi se ai "i sheh të shtatë frontet" dhe "pamjen më të gjerë, më të madhe" dhe se "është i vendosur t'i sjellë fitoren Izraelit". mb/

Foto: EPA

QËNDRONI TË LIDHUR