• e enjte, 26 dhjetor 2024

ITN tërhoqi mbështetjen, Maria Gabriel do ta kthejë sot mandatin e parë për të formuar qeverinë e Bullgarisë

ITN tërhoqi mbështetjen, Maria Gabriel do ta kthejë sot mandatin e parë për të formuar qeverinë e Bullgarisë

Sofje, 22 maj 2023 (MIA) - Kandidatja për kryeministre të Bullgarisë nga radhët e GERB-SDS, Maria Gabriel, do t'i kthejë presidentit Rumen Radev mandatin e parë për të formuar qeverinë sot në orën 15:00 me orën lokale, duke qenë se nuk ka siguruar votat e mjaftueshme për formimin e kabinetit. 

Fillimisht DPS dhe "Ka një popull të tillë" (ITN) njoftuan mbështetje për qeverinë eksperte, por mbrëmë, sipas të dhënave jozyrtare, GERB dhe "Vazhdojmë me ndryshimet - Bullgaria Demokratike" (PP-DB) biseduan për mbështetjen e Qeverisë me mandat të dytë, kryeministri i të cilit do të ndryshonte me rotacion, raporton portali bullgar Mediapul.

Më 11 maj, Maria Gabriel para DPS-së, "BSP për Bullgarinë" dhe "Ka një popull të tillë" prezantoi prioritetet e një qeverie të tre "A"-ve - ambicia, autoriteti, angazhimi.

Të njëjtën ditë, pas mbledhjes së Byrosë Ekzekutive të partisë dhe kryesisë së grupit parlamentar të “BSP për Bullgarinë”, Kornelia Ninova njoftoi se po i mbyllin bisedimet me GERB-SDS për formimin e kabinetit me mandatin e parë.

Në plenumin e partisë të shtunën u konfirmua vendimi për të votuar "kundër" kabinetit "Gabriel", ku bisedimeve për ftesën për mandatin e dytë dhe të tretë duhet t’i bashkohen edhe socialistët.

Ne po bëjmë përpjekje për të gjetur një rrugëdalje  nga kriza politike në Bullgari, sepse pa rrugëdalje nga kriza politike nuk mund të zgjidhen problemet e popullit dhe shtetit, ndërsa në vend ka shumë kriza. Kështu para gazetarëve në Parlament tha kryetari i grupit parlamentar të DPS-së, Mustafa Karadaj, transmeton BTA.

Mbrëmë vonë, në një postim në Fejsbuk, lideri i "Ka një popull të tillë" Slavi Trifonov deklaroi se ITN as nuk do të marrë pjesë dhe as do ta mbështesë kabinetin e GERB për mandatin e parë. "Javën e kaluar premtova "Ka një popull të tillë" se do të veprojë me përgjegjësi dhe do të mbështesë një kabinet ekspertësh, sepse Bullgaria ka shumë probleme reale që duhet të zgjidhen, shkruan Trifonov. Sipas tij, askush nuk ka pasur një bisedë "thelbësore" me partinë e tij. "Askush. Asnjë bisedë nuk është bërë. Asnjë. As për përbërjen e kabinetit. As për strukturën. As për ekspertizën e njerëzve në të. Asgjë. Do të thotë vetëm një gjë. Kabineti për mandatin e parë nuk është profesional. Çfarë është, nuk e di. Por nuk është ekspert. Nuk kemi premtuar asgjë dhe nuk do të japim mbështetje parimisht", ka shkruar ai.

Në fillim të javës së kaluar, pas mbledhjes së këshillit të koalicionit "Vazhdojmë ndryshimin - Bullgaria Demokratike", kryesitë kombëtare të formacioneve individuale në koalicion dhe një grup parlamentar konfirmuan qëndrimin se nuk e mbështesin qeverinë të  propozuar me mandat të parë.

Do të fillojmë konsultimet me të gjitha forcat parlamentare për gatishmërinë e tyre për të mbështetur ndryshime konkrete në Kushtetutë, tha bashkëkryetari i "Bullgarisë Demokratike" Hristo Ivanov. - Ne besojmë, shpjegoi ai, se situata që është krijuar ditët e fundit konfirmon qëndrimin tonë afatgjatë se sistemi politik, sistemi institucional bullgar nuk mund të normalizohet pa një ndryshim më të thellë, ambicioz të Kushtetutës në lidhje me Këshillin e Lartë Gjyqësor të Prokurorisë. sa/

foto: BTA

 

QËNDRONI TË LIDHUR