• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Ish-kryeministri i BeH-së u dënua me katër vite burg për furnizim të respiratorëve të prishur

Ish-kryeministri i BeH-së u dënua me katër vite burg për furnizim të respiratorëve të prishur

Banja Llukë, 27 janar 2024 (MIA) - Këshilli i Apelit i Gjykatës së Bosnjë e Hercetovinës (BeH) e konfirmoi aktvendimin e shkallës së parë për rastin "Respiratorët", me të cilin ish-kryeministri i Federatës së BeH-së, Fadil Novaliq (SDA) dënohet me katër vite burg.

Ish-drejtori i Drejtorisë për mbrojtje civile i Federatës së BeH-së, Fahrudin Solak është dënuar me gjashtë vite burg, ndërsa Fikret Hoxhiq, drejtor i kompanisë "Mjedra e argjendtë", e cila ka bërë furnizimin me respiratorë të prishur gjatë pandemisë së koronavirusit, me pesë vite burg.

Sipas aktvendimit, kompania e lartëpërmendur duhet të kthejë pothuajse 700.000 marka konvertibile (rreth 386 mijë euro) dhe të paguajë dënim prej 200.000 MK (mbi njëqind mijë euro) në afat prej 60 ditëve pas aktvendimit fuqiplotë.

Novaliq, tërë procesin e vlerësoi si të "montuar", duke cekur se "regjisorët e huaj dhe kryesit vendorë e çuan procesin deri në fund me shkelje të ashpër të drejtësisë".

Ai sot në Fejsbuk shkroi se do ta "zbulojë strukturën" e cila e ka shpikur procesin kundër tij dhe se në ditët në vijim do t'i prezantojë të gjitha informatat që i ka lidhur me, siç vlerësoi, "procesin e montuar".

Novaliq, Solak dhe Hoxhiq janë të akuzuar se kanë furnizuar qindra respiratorë në vlerë prej pesë milionë eurove, të cilat i ka sjellë kompania "Mjedra e argjendtë" nga Kina për nevojat e Administratës federale për mbrojtje civile pas shpalljes së pandemisë së koronavirusit në vitin 2020. Më vonë u tregua se respiratorët e blerë janë të prishur.

Gjykimi zgjati më shumë se dy vite. ab/

Foto: МIА arkivi

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR