• e enjte, 26 dhjetor 2024

Ish shefi i shërbimit inteligjent të Kosovës dënohet me katër vjet e tetë muaj burg për rastin “Gylenistët”

Ish shefi i shërbimit inteligjent të Kosovës dënohet me katër vjet e tetë muaj burg për rastin “Gylenistët”

Prishtinë, 19 korrik 2023 (MIA)- Gjykata Themelore në Prishtinë, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Driton Gashit ish-shefi i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, duke e dënuar me 4 vite e 8 muaj burgim, kurse janë liruar nga akuza Valon Krasniqi, ish-drejtori i Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Rrahman Sylejmani ish-drejtori i Drejtorisë për Migracion dhe të Huaj në kuadër të Policisë Kufitare, të cilët akuzoheshin për korrupsion në rastin e njohur si “Gylenistët”.

Aktgjykimi ndaj tyre u shpall të mërkurën nga kryetarja e trupit gjykues gjykatësi, gjykatësja Violeta Namani, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Ndaj ish-shefit të AKI-së Driton Gashit, Gjykata ka shqiptuar edhe dënim plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike në kohëzgjatje prej 4 vite pas mbajtjes se dënimit me burgim. Ndërsa të akuzuarit Valon Ramadani dhe Rrahman Sylejmani lirohen nga akuza pasi që nuk është provuar se te njëjtit kanë kryer veprat penale që ju vihen në barrë.

Sipas këtij aktgjykimi, i akuzuari Gashi obligohet që të paguaj edhe shpenzimet procedurale dhe atë shumën prej 1 mijë euro në emër të paushallit gjyqësor dhe si dhe shumën prej 100 euro për fondin e kompensimit te viktimave të krimit.

Ndërsa shpenzimet procedurale lidhur me të akuzuarit Ramadani dhe Sylejmani bien barrë e mjeteve buxhetore të gjykatës.

Gjykata e Apelit në dhjetor 2021 ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin për herë të dytë kishte refuzuar hudhjen poshtë të aktakuzës.

Ndryshe, më 21 maj 2021, Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë kishte konfirmuar aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale ndaj Driton Gashit, Valon Krasniqit dhe Rrahman Sylejmanit.

Mirëpo, Gjykata e Apelit me arsyetimin se ka pasur shkelje esenciale e ka kthyer këtë rast në rivendosje sa i përket pjesës me të cilën gjykata e shkallës së parë ka refuzuar si të pabazuara kërkesat e mbrojtjes për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.

Me vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, përpos konfirmimit të aktakuzës, kjo gjykatë kishte aprovuar disa propozime të mbrojtjes për shpalljen e papranueshme të disa provave.

Gjashtë shtetas turq u dënuan si pjesë e lëvizjes politike të Fetullah Gylenit, kundërshtarit të presidentit aktual të Turqisë, Rexhep Taip Erdogan dhe të gjithë ndodhen për momentin në burgjet turke.

Xhihan Ozkan, Kahraman Demirez dhe Osman Karakaja u dënuan me nga 7.5 vjet burg. Hasan Husein Guka i dëbuar gabimisht u dënua me tetë vjet e gjashtë muaj burg, ndërsa Jusuf Karabina me 10 vjet, ndërsa Mustafa Erdem me 15 vjet burg.

Ndërsa Turqia e konsideron lëvizjen e Gylenit terroriste, familjarët e të dënuarve thonë se u janë shkelur të drejtat, si në rastin e dëbimit nga Kosova dhe se ata janë dënuar në Turqi pa prova. 

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR