• e mërkurë, 23 tetor 2024

Iravani: Deklaratat provokuese të Bajdenit janë shqetësuese dhe janë miratim i heshtur i agresionit ushtarak izraelit ndaj Iranit

Iravani: Deklaratat provokuese të Bajdenit janë shqetësuese dhe janë miratim i heshtur i agresionit ushtarak izraelit ndaj Iranit

Nju-Jork, 22 tetor 2024 (MIA) - Ambasadori iranian në Kombet e Bashkuara, Amir Said Iravani, në letrën drejtuar sekretarit të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guteresh dhe Këshillit të Sigurimit, shkroi se deklaratat provokuese të presidentit amerikan, Xho Bajden janë thellësisht shqetësuese, sepse tregojnë miratim të heshtur dhe mbështetje të hapur të SHBA-së për agresionin ilegal ushtarak të regjimit izraelit ndaj Iranit.

Në deklaratat e veta, presidenti amerikan zbuloi se ka informata për atë se si dhe kur Izraeli ka ndër mend ta sulmojë Iranin, theksoi Iravani në letër, transmetoi IRNA.

Sipas tij, kjo deklaratë ndezëse është thellësisht shqetësuese, sepse tregon miratim të heshtur dhe mbështetje eksplicite të SHBA-së për agresionin ileegal ushtarak të Izraelit ndaj Iranit.

Vërejtjet e këtilla, gjithashtu, janë në kundërshtim me pohimet konzistente të SHBA-së se mbështesin deeskalim në rajon, ceket në letrën e ambasadorit Iravani.

"Involvimi amerikan, përmes sigurimit të ekspertizës teknike dhe armatimit të avancuar për Izraelin, përfshirë edhe sistemet e sofistikuara për mbrojtje kundërajrore, plotësisht do ta nxitë dhe inkurajojë Izraelin të kryejë sulme agresive ndaj iranit, do ta bëjë Qeverinë amerikane 'pjesëmarrëse' në agresionin e Izraelit kundër Iranit dhe pasojat e tij, sepse ata tashmë ishin pjesëmarrës në fushatën rrjedhëse të krimeve të luftës dhe gjenocidit ndaj civilëve dhe infrastrukturës civile në Gazë dhe Liban", theksoi ambasadori.

Iravani tha se prandaj SHBA-ja do të bartë përgjegjësi të plotë për rolin e vet në inkurajimin dhe mundësimin e çfarëdo lloj akteve të agresionit nga ana e Izraelit kundër Iranit, që është shkelje flagrante e parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe Kartës së Kombeve të Bashkuara, prëfshirë edhe parimin për ndalesë të përdorimit të forcës sipas nenit 2(4) të Kartës si dhe për pasojat katastrofike për paqen dhe sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare.

"Republika islamike e Iranit i bën thirrje Këshillit të Sigurimit që pa hezitim ta dënojë këtë provokim të pamatur dhe kërkon që SHBA-ja, si anëtare e përhershme, t'i përmbushë obligimet e veta sipas të drejtës ndërkombëtare dhe Kartës së KB-së", thekson Iravani në letër.

Duke folur para gazetarëve në fund të vizitës në Berlin, të shtunën, Bajden tha se ka mirëkuptim për atë se si dhe kur Izraeli do t'u prëgjigjet sulmeve raketore të Iranit.

Gjatë natës së 1 tetorit, Irani lansoi rreth 180 raketa drejt Izraelit, ndërsa mes caqeve ishin aeroportet dhe pistat, si dhe zyrat e shërbimit zbulues izraelit, Mosad.

Pas sulmit raketor iranian ndaj Izraelit, kryeministri Benjamin Netanjahu në takimin e Kabinetit për siguri tha se sulmi nuk pati sukses, por se Irani ka bërë "gabim të madh" dhe se "do të paguajë për të". ab/

foto: EPА

QËNDRONI TË LIDHUR