• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Irani mohon përfshirje në sulmet e Huthëve ndaj anijeve në Detin e Kuq

Irani mohon përfshirje në sulmet e Huthëve ndaj anijeve në Detin e Kuq

Teheran, 24 dhjetor 2023 (MIA) - Autoritetet iraniane sot hodhën poshtë akuzat e SHBA-së për përfshirje në sulmet e fundit të kryengritësve jemenas Huthë mbi anijet në Detin e Kuq.

“Rezistenca (grupet e armatosura që luftojnë kundër Izraelit) ka forcat e veta dhe vepron sipas vendimeve dhe mundësive të veta”, tha zëvendësministri iranian i Punëve të Jashtme, Ali Bageri për agjencinë lokale të lajmeve Mehr.

Ai po reagonte ndaj "pretendimeve perëndimore" se Teherani po "informonte kryengritësit jemenas për vendndodhjen e anijeve amerikane".

Ministri iranian i Punëve të Jashtme Hosein Amir Abdollahian tha më herët sot se SHBA-ja ka kërkuar tashmë nga Iran që të mos këshillojë kryengritësit jemenas që të veprojnë kundër interesave amerikane dhe izraelite në rajon.

“Ne ua kemi bërë të qartë amerikanëve se këto grupe po veprojnë në përputhje me interesat e tyre”, tha ministri iranian, duke shtuar se Irani nuk i urdhëroi sulmet dhe as nuk do t'i urdhëronte të ndalojnë.

Kryengritësit Huthë pretendojnë se po veprojnë si mbështetje e palestinezëve në luftën e tyre kundër Izraelit. Në javët e fundit, Huthët kanë sulmuar anijet që dyshohet se janë të lidhura me Izraelin dhe që transportonin mallra të destinuara për atë vend.

Shtëpia e Bardhë të premten akuzoi Iranin se ishte "i përfshirë në planifikimin" e sulmeve të fundit nga kryengritësit Huthë, duke u ofruar atyre "pajisje të sofistikuara ushtarake dhe ndihmë të inteligjencës". ls/

Foto: Arkivi i MIA-s 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR