Incidente serioze në Athinë pas protestës për aksidentin e trenit – një nga tubimet më të mëdha viteve të fundit
- Mijëra qytetarë janë mbledhur sot në mëngjes në qendër të Athinës me rastin e dy vjetorit të aksidentit të trenit në afërsi të Tempit, ndërsa pas përfundimit të një prej protestave më masive në vend në vitet e fundit, kanë ndodhur incidente të rënda, njofton korrespondentja e MIA-s nga Athina.
- Post By Fami Bajrami
- 17:18, 28 shkurt, 2025

Athinë, 28 shkurt 2025 (MIA) - Mijëra qytetarë janë mbledhur sot në mëngjes në qendër të Athinës me rastin e dy vjetorit të aksidentit të trenit në afërsi të Tempit, ndërsa pas përfundimit të një prej protestave më masive në vend në vitet e fundit, kanë ndodhur incidente të rënda, njofton korrespondentja e MIA-s nga Athina.
Pas përfundimit të pjesës zyrtare gjatë së cilës folën familjarët e viktimave, ndërsa qytetarët e mbledhur filluan të largohen, grupe më të mëdha të maskuar hodhën dhjetëra bomba molotovi, mermer, shishe dhe gjësende të tjera, si dhe mjete piroteknike drejt objektit të Kuvendit.
Incidentet shpejt u përhapën në rrugët përreth dhe zgjatën për një kohë të gjatë, ndërsa policia iu përgjigj me gaz lotsjellës dhe shokë bombë.
Pas qetësimit të situatës, një pjesë e protestuesve janë kthyer në parlamentin grek, ndërsa me ndërprerje të vogla incidentet kanë vazhduar edhe pasdite.
Sipas informatave jozyrtare të MIA-s nga Athina, të paktën 80 persona janë arrestuar, 12 protestues janë lënduar, ndërsa janë shkaktuar edhe dëme materiale.
Mijëra qytetarë mëngjesin e sotëm kanë mbushur rrugët në sheshin e Athinës, si dhe sheshin Sintagma për të dërguar porosi se nuk i kanë harruar viktimat e aksidentit të trenit në Tempi dy vite më parë, por edhe për të ripërsëritur kërkesën e tyre për drejtësi.
Edhe pse protesta ishte planifikuar për në orën 11 sipas orës lokale, një orë e gjysmë para nisjes zyrtare, sheshi para parlamentit grek tashmë ishte i mbushur me qytetarë të të gjitha moshave, të rinj, studentë, pensionistë, familje me fëmijë.
Protesta filloi me një minutë heshtje, pasi u lexuan emrat e 57 viktimave.
Përvjetori i aksidentit po shënohet me 382 protesta, 262 prej të cilave në Greqi dhe 120 jashtë vendit dhe sindikatat më të mëdha greke kanë planifikuar për sot një grevë të përgjithshme që ka paralizuar vendin.
Nuk funksionon trafiku i anijeve, ajror dhe hekurudhor, disa restorante, kafene, klube nate, teatrot do të mbyllen, ndërsa marrin pjesë avokatë, farmacistë, mjekë, studentë, nxënës, pedagogë dhe supermarketet që do të mbyllen për disa orë.
Anijet janë të ankoruara në porte, qarkullimi hekurudhor do të jetë në ndërprerje plotësisht, ndërsa për shkak të grevës së kontrollorëve të trafikut ajror janë anuluar të gjitha fluturimet për dhe nga Greqia.
Siç njofton korrespondentja e MIA-s nga Athina, në lokacionet konkrete ka pasur një reagim masiv nga shoferët e taksive të cilët mbanin tullumbace të zeza dhe një tabelë të varur se janë pjesë e iniciativës për transport falas të qytetarëve deri në sheshin Sintagma.
Foto/Video: MIA