• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

ILO: Rreth 828.000 njerëz në Turqi dhe Siri humbën punën e tyre pas tërmeteve

ILO: Rreth 828.000 njerëz në Turqi dhe Siri humbën punën e tyre pas tërmeteve

Gjenevë, 28 mars 2023 (MIA) - Rreth 828.000 punëtorë kanë humbur punën pas serisë së tërmeteve që goditën Turqinë juglindore dhe veriun e Sirisë në shkurt, njoftoi sot Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO).

Të dhënat fillestare tregojnë se tërmetet në Turqi kanë çuar në një ulje të aktivitetit të punës dhe se rreth 658.000 njerëz janë pa punë ose të ardhura, sipas vlerësimit të ILO.

Në Siri, ku tashmë 12 vite zgjat lufta qytetare, që shkaktoi dëme të mëdha të ekonomisë dhe tregut të punës, rreth 170.000 punëtorë kanë humbur punën e tyre për shkak të tërmeteve.

Pa ndihmën e menjëhershme dhe të synuar, varfëria, punësimi joformal dhe puna e fëmijëve me shumë gjasa do të rriten, paralajmëroi ILO, duke shtuar se krijimi i vendeve të punës ishte thelbësor për një "përgjigje efektive dhe gjithëpërfshirëse" ndaj katastrofës.

Donatorët ndërkombëtarë në konferencën në Bruksel javën e kaluar premtuan shtatë miliardë euro ndihmë për popullsinë e Turqisë dhe Sirisë të goditur nga tërmeti i 6 shkurtit, ku e humbën jetën më shumë se 56.000 njerëz dhe shkaktoi dëme të vlerësuara në më shumë se 100 miliardë euro. ls/

QËNDRONI TË LIDHUR