• e martë, 17 mars 2026

IDF sulmon periferitë jugore të Bejrutit, njerëzit ikin masivisht

IDF sulmon periferitë jugore të Bejrutit, njerëzit ikin masivisht

Bejrut, 6 mars 2026 (MIA) - Armata izraelite mbrëmë nisi një sulm ajror në periferitë jugore të Bejrutit, duke synuar atë që e quajti infrastrukturën e lëvizjes militante libaneze Hezbollah, e mbështetur nga Irani. 

Objektivi i sulmeve është lagjja Dahija, një lagje komerciale dhe e banueshme me popullsi të dendur në periferitë jugore të Bejrutit, publikoi Gardijan.

Forcat mbrojtëse Izraelite një ditë më herët kishin urdhëruar një evakuim emergjent të banorëve të periferive jugore të Bejrutit, ku jetojnë rreth 500.000 njerëz, të cilët po përpiqeshin të shpëtonin në karvanë të mëdhenj automjetesh të cilët mezi lëviznin për shkak të turmave.

Garrdijani publikoi se komunikacioni ishte në një ndalesë të plotë në të gjithë qytetin, me mijëra njerëz që ecnin, gra që shtynin karrocat e fëmijëve midis automjeteve të ndaluara dhe familje që u luteshin shërbimeve të emergjencës të ndihmonin të moshuarit që nuk ishin në gjendje të dilinin vetë nga ndërtesat dhe shtëpitë e tyre.

Izraeli që nga e hëna ka sulmuar pjesë të zonës Dahija, ndërsa ministri izraelit i krahut të djathtë, Bezalel Smotriç, sot kërcënoi me shkatërrimin total të asaj pjese të qytetit, e cila konsiderohet një bastion i Hezbollahut.

Urdhri për evakuim në qytetin e Bejrutit erdhi një ditë pasi armata izraelite urdhëroi të gjithë banorët të largoheshin nga një zonë tjetër kufitare në jug të lumit Litani, që është rreth 10 për qind të territorit të Libanit. Kjo ngriti shqetësime se Izraeli po përgatitej për një pushtim tokësor.

Liderët botërorë, duke përfshirë presidentin francez Emanuel Makron dhe kryeministrin spanjoll Pedro Sançez, apeluan Izraelin që të zvogëlojë sulmet dhe të parandalojë përhapjen e luftës izraelito-amerikane kundër Iranit në një front të ri në Liban.

Izraeli pretendon se po hakmerret kundër Hezbollahut për disa raketa të qëlluara në veri të Izraelit të hënën.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë libaneze, deri më tani në sulmet izraelite janë vrarë më shumë se 120 persona dhe rreth 700 të tjerë janë lënduar. rq/

Foto: arkivi i MIA-s

Фото:МИА архива

QËNDRONI TË LIDHUR