• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

I dërguari i KB-së për Sirinë arrin në Damask

I dërguari i KB-së për Sirinë arrin në Damask

Damask, 15 dhjetor 2024 (MIA) – I dërguari i KB-së për Sirinë, Geir Pedersen sot ka arritur në Damask, deklaroi zëdhënësja e tij e cila nuk precizoi se cili do të jetë programi i vizitës së tij.

Zëdhënësja Xhenifer Fenton nuk qartësoi nëse ai do të takohet me Abu Muhamed al-Xholani, liderin e koalicionit të armatosur të udhëhequr nga islamistët që ka marrë pushtetin në Siri.

Në ofensivën 11-ditore që filloi në qytetin veriperëndimor të Idlibit, koalicioni i fraksioneve të rebelëve të udhëhequr nga grupi radikal sunit Hajat Tahrir al-Sham (HTS) mori pjesë të mëdha të vendit nga forcat qeveritare, duke përfshirë bastionin kryesor të Damaskut dhe më 8 dhjetor i dha fund sundimit 50-vjeçar të familjes Asad.

Grupi i udhëhequr nga Abu Mohamed al-Xholani thotë se ka ndalur ekstremizmin, por ende është i klasifikuar si një grup terrorist nga disa vende perëndimore, përfshirë edhe SHBA-në.

Pedersen ka bërë thirrje për formimin e qeverive kalimtare "gjithëpërfshirëse" për të shmangur një "luftë të re civile në Siri".

Ai dje në Jordani, fqinji i Sirisë, mori pjesë në bisedime ku ishin të pranishëm edhe diplomatë amerikanë, arabë, evropianë dhe turq. Ata ranë dakord që procesi i tranzicionit duhet të udhëhiqet nga vetë sirianët dhe të vijë një qeveri gjithëpërfshirëse, thuhet në deklaratën e përbashkët.

Foto: EPA

 

QËNDRONI TË LIDHUR