Hulumtim: Pothuajse gjysma e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor besojnë se mundësia për luftë në rajon është reale
- Pothuaj gjysma e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor besojnë se ekziston mundësi reale për luftë në rajon, sipas hulumtimit vjetor të opinionit publik mbi perceptimin e sigurisë nga Këshilli i bashkëpunimit rajonal (RKK), SecuriMeter 2024.
- Post By Fami Bajrami
- 15:58, 16 dhjetor, 2024
Tiranë, 16 dhjetor 2024 (MIA) - Pothuaj gjysma e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor besojnë se ekziston mundësi reale për luftë në rajon, sipas hulumtimit vjetor të opinionit publik mbi perceptimin e sigurisë nga Këshilli i bashkëpunimit rajonal (RKK), SecuriMeter 2024.
Sekretarja e përgjithshme e RKK-së, Majlinda Bregu, në prezantimin e sotëm të humumtimit para gazetarëve në Tiranë deklaroi se shqetësimi për konflikte të mundshme është i përhapur tek qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
"Ky shqetësim është më i shprehur në Serbi - 58 për qind, në Bosnje e Hercegovinë 51 për qind dhe në Mal të Zi 49 për qind", deklaroi Bregu.
Sipas hulumtimit, siç shtoi ajo, më pak se 40 për qind e banorëve të Ballkanit Perëndimor besojnë se rajoni është i sigurt për jetesë.
"Ky shqetësim për sigurinë rajonale me siguri është pasojë e çështjeve vijuese, duke përfshirë tensionet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, të cilat po përhapen në Shqipëri, si dhe antagonizmin etnik në Bosnje e Hercegovinë, i cili gjithashtu është në rritje edhe në Serbi", tha Bregu.
Ndryshe nga siguria rajonale, hulumtimi zbuloi se qytetarët ndihen më të sigurt në nivelin e vendeve të tyre, si dhe në nivel individual - 52 për qind e të anketuarve mendojnë se vendet e tyre janë të sigurta.
Bregu si shqetësim të veçantë potencoi se qytetarët e Ballkanit Perëndimor nuk shohin optimizëm për situatën e sigurisë në të ardhmen.
"Vetëm 31 për qind e të anketuarve besojnë se rajoni do të jetë një vend më i sigurt në 12 muajt e ardhshëm", shtoi ajo.
Kur bëhet fjalë për migracionin, ajo deklaroi se 21 për qind të popullsisë së Ballkanit Perëndimor jeton jashtë vendit, që është më e shprehur në Bosnjë e Hercegovinë (49 për qind) dhe Shqipëri (41 për qind).
"Çdo i katërti banor i Ballkanit Perëndimor po mendon apo është tashmë në proces të largimit nga vendi i tij", tha Bregu.
Ajo shtoi se 83 për qind e të anketuarve përmendën korrupsionin e përhapur si një nga problemet më të mëdha, ndërsa 77 për qind ishin të shqetësuar për çmimet e larta të banesave dhe inflacionin - më i larti në Serbi, 81 për qind, ndërsa pastaj vijon Shqipëria, 71 për qind e të anketuarve.
"Pranimi i realitetit, në kontekst të këtyre të dhënave, është gjithmonë një pikënisje e mirë në procesin e vendimmarrjes. Por, shumë shpesh, pranimi i realitetit në Ballkanin Perëndimor nuk është një detyrë e lehtë", tha Bregu.
Hulumtimi vjetor i SecuriMeter është kryer që nga viti 2021 dhe ofron një pasqyrë të qëndrimeve dhe përvojave të opinionit në lidhje me sigurinë, qeverisjen dhe besimin në rajonin e Ballkanit Perëndimor. rq/bsh/
Foto: arkivi i MIA-s