• e enjte, 26 dhjetor 2024

Hukstra: Ballafaqimi me ndryshimet klimatike nuk është një meny dëshirash, duhet të përmbushet gjithçka që është në të 

Hukstra: Ballafaqimi me ndryshimet klimatike nuk është një meny dëshirash, duhet të përmbushet gjithçka që është në të 

Bruksel, 31 tetor 2023 (MIA) - BE-ja nuk do të pranojë një rezultat të KOP28 në të cilin do të arriheshin marrëveshje vetëm për tema më pak të diskutueshme, siç është rritja e përdorimit të burimeve të rinovueshme të energjisë, por jo edhe për çështje më të komplikuara, siç është heqja graduale e karburanteve fosile, porositi Komisioneri evropian për veprim klimatik, Vopke Hukstra në Abu Dhabi, ku po merr pjesë në takimin përgatitor përpara Samitit të Klimës (KOP28), i cili do të fillojë në fund të muajit të ardhshëm në Dubai.

Sipas tij, siç njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Brukseli, ballafaqimi me problemet klimatike nuk është meny, që të zgjedhim se çfarë dëshirojmë të përmbushim prej saj.

"Çdo gjë që është në meny duhet të përmbushet", shtoi Hukstra.

Ai thekson se një problem shtesë janë “kohët shumë sfiduese gjeopolitikisht”, të cilat e bëjnë më të vështirë se kurrë arritjen e një marrëveshjeje për klimën.

Përveç konfliktit në Lindjen e Afërt dhe luftës në Ukrainë, ndikim në rezultatet e Samitit në Dubai, mund të kenë edhe tensionet në rritje mes BE-së dhe Kinës, pas vendimit të Komisionit Evropian për të nisur një hetim për subvencionet shtetërore kineze për automjetet elektrike.

Kina shpreh keqardhje për vendimin e KE-së, duke e vlerësuar atë "të pajustifikuar" dhe paralajmëroi se konfrontimet politike mund të rrezikojnë bashkëpunimin në ballafaqimin me ndryshimet klimatike.

"Menaxhimi global me klimën nuk ndodh në vakum. Nuk mund të inkurajohet konfrontimi politik nga njëra anë dhe të pritet bashkëpunim pa kushte nga ana tjetër", tha ambasadori kinez në BE, Fu Kong. ls/

Foto: Bashkimi Evropian

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR