• e enjte, 26 dhjetor 2024

Hovenier: Vendimet e Kurtit për dinarin do të kenë ndikim në kualitetin e marrëdhënieve mes SHBA-së dhe Kosovës

Hovenier: Vendimet e Kurtit për dinarin do të kenë ndikim në kualitetin e marrëdhënieve mes SHBA-së dhe Kosovës

Prishtinë, 5 shkurt 2024 (MIA)- Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhefri Hovenier e ka përsëritur të hënën kërkesën ndaj Qeverisë së Kosovës për shtyrje të vendimit për zbatim të rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).

Në deklaratën për media pas takimit me kryeministrin e vendit, Albin Kurti, zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi dhe ministrin e Financave Hekuran Murati, teksa ai ishte i shoqëruar nga ambasadorët e vendeve të KUINT-it që krahas SHBA-së e përbëjnë edhe Franca, Gjermania, Britnia e Madhe dhe Italia, Hovenier tha se SHBA është i shqetësuar pasi zbatimi i rregullores së BQK-së padrejtësisht do të godasë bashkësitë pakicë, para së gjithash komunitetin etnik serb.

Ambasadori amerikan tha se shteti i tij dëshiron të shtyhet zbatimi i këtij vendimi pasi sipas tij duhet zhvilluar një plan dhe strategji në mënyrë që të funksionojë vendimi në fjalë.

Hovenier shtoi se SHBA mbështesin zbatimin e plotë të Kushtetutës së Kosovës dhe respektojnë rolin e BQK-së.

Ndërkaq i pyetur se nëse Qeveria e Kosovës ka dhënë ndonjë shenjë se do ta ndryshojë vendimin e saj dhe nëse Kosova rrezikon të përballet me sanksione të reja, Hovenier tha se është në dorën e Qeverisë të deklarohet për zbatimin e rregullores. Ndërsa rreth asaj se nëse qeveria amerikane mund të marrë veprime kundër Kosovës, nëse nuk i përgjigjet kësaj kërkese, Hovenier ka thënë se “shpresojmë që Qeveria të jetë partnere me ne”, duke shtuar që nëse ndodh e kundërta, kjo gjë “do të ketë ndikim në kualitetin e partneritetit tonë”.

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR