• e enjte, 26 dhjetor 2024

Hovenier: Situata në veri të Kosovës është thellësisht shqetësuese

Hovenier: Situata në veri të Kosovës është thellësisht shqetësuese

Prishtinë, 29 maj 2023 (MIA) - Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Xhefri Hovenier ka deklaruar se situata në veri të Kosovës, ku po protestojnë serbët lokalë kundër kryetarëve të sapozgjedhur të komunave me shumicë serbe, është "thellësisht shqetësuese" dhe kërkoi nga të gjitha palët e përfshira që të kontribuojnë për depërshkallëzim të situatës. 

Siç informon MIA, Hovenier pas takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani tha se është shumë me rëndësi që të mos lejohet hyrja me dhunë në objektet e komunave para të cilave sot në mëngjes dolën në protestë qytetarët e bashkësisë serbe. 

"Sapo përfundova takimin me presidenten Vjosa Osmani, diskutuam për situatën në veri, shpreha shqetësimin tim për dhunën. Bashkë me kolegun tim, ambasadorin Szunyog kemi ftuar kryetarët e komunave veriore në takim, erdhën kryetarët e Zveçanit dhe Zubin-Potokut. Biseduam për situatën shqetësuese. Nuk e di pse nuk erdhën kryetarët e tjerë, vetëm mund të them se ftesa ju shkoi”, tha Hovenier.

Hovenier shtoi se SHBA-ja dhe vendet e QUINT-it kanë potencuar se është e rëndësishme që "zyrtarët të hyjnë në institucione shtetërore pa përdorur forcë".

“Ky mbetet qëndrimi ynë. Edhe me kryetarët e diskutuam se si mund të kryejnë detyrën e tyre dhe t’u shërbejnë qytetarëve, sidomos pa pasur nevojë për forcë që të hyjnë në institucione”, tha Hovenier pas takimit me Osmanin.
 

Kryetarët e sapozgjedhur të komunave në katër komunat me shumicë serbe, për të cilat votuan 2-3 për qind e qytetarëve me të drejtë vote, bënë betimin të premten dhe hynë në ndërtesat e tyre komunale të siguruar nga një numër i madh i policisë speciale. Në të njëjtën ditë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, thirri seancë të Këshillit shtetëror të Sigurisë dhe urdhëroi rritjen e gatishmërisë luftarake të forcave të armatosura. fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR