• e enjte, 26 dhjetor 2024

Hovenier: SHBA-ja e shqetësuar për shkak të faktit se Qeveria e Kosovës nuk ndërmerr masa konkrete për shtensionimin e situatës në veri

Hovenier: SHBA-ja e shqetësuar për shkak të faktit se Qeveria e Kosovës nuk ndërmerr masa konkrete për shtensionimin e situatës në veri

Prishtinë, 30 qershor 2023 (MIA) - Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Xhefri Hovenier deklaroi se Uashingtoni është "shumë i shqetësuar për shkak të faktit se Qeveria e Kosovës nuk ndërmerr masa konkrete për shtensionimin e situatës në veri të vendit", njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Në intervistën e mbrëmshme për televizionin Klan Kosova, Hovenier tha se kryeministri i Kosovës Albin Kurti duhet të fillojë me zbaztimin e planit prej tre pikave, të propozuar nga Bashkimi Evropian, për dalje nga gjendja e tensionuar në veri të vendit.

“Miqtë e Kosovës, vendet dhe institucionet që më së shumti kanë luajtur rol në mbështetjen e Kosovës në këtë trajektore, të gjitha po kërkojnë nga Kosova, nga kjo Qeveri që të ndërmarrë disa veprime specifike dhe që të zbatojë planin trepikësh të BE-së”, tha Hovenier.

Brukseli në planin e përmendur kërkon nga Prishtina shtensionimin e situatës në veri, mbajtjen e zgjedhjeve të reja dhe kthimin në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Ambasadori amerikan tha se është e habitshme se pse nuk ka një përgjigje pozitive nga Qeveria e Kosovës ndaj kërkesave të bashkësisë ndërkombëtare.

“Jemi të habitur. Është e vështirë për neve ta kuptojmë se përse kjo kërkesë nuk merr përgjigje pozitive dhe nuk duket që do të ketë”, tha Hovenier.

Ai nuk e përjashtoi mundësinë për pasoja të tjera për Kosovën në rast se Qeveria e Kosovës nuk iu përgjigjet kërkesave të partnerëve ndërkombëtarë.

“Është e qartë se do të ketë disa pasoja tjera nëse vazhdojmë në këtë rrugë ku Qeveria e Kosovës nuk iu përgjigjet kërkesave të të gjithë miqve të saj, nga të gjitha shtetet, që kanë treguar një apo dy dekada përkushtim që të shohin Kosovën duke zëne vendin e saj në Evropë dhe në strukturat euroatlantike”, tha Hovenier.

Ai mohoi kritikat se SHBA-ja është duke u treguar më e ashpër me Kosovën se me Serbinë, duke thënë se edhe nga Serbia është duke u kërkuar zbatimi i planit trepikësh për qetësimin e gjendjes në veri të Kosovës.

Përkundër mospajtimeve, Hovenier tha se SHBA-ja e konsideron kryeministrin Kurti partner, porse siç tha ai, Kurti duhet të punojë drejt shtensionimit të situatës dhe mbajtjes së zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq. bsh/

Foto: Klan Kosova

QËNDRONI TË LIDHUR