• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Hovenier: Presim nga Qeveria e Kosovës të punojë në partneritet me ne

Hovenier: Presim nga Qeveria e Kosovës të punojë në partneritet me ne

Prishtinë, 22 mars 2024 (MIA) - Ambasadori amerikan në Prishtinë, Xhef Hovenier, tha se pret nga Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, të punojë në partneritet me Uashingtonin, në mënyrë që në Kosovë të ketë përparime, shkruan Radio Evropa e Lirë (REL).

Gjatë një konference të organizuar nga Këshilli i Ambasadorëve të Kosovës për 25-vjetorin e ndërhyrjes ushtarake të NATO-s, që i dha fund luftës së fundit, Hovenier përsëriti qëndrimin amerikan se rruga e vetme e Kosovës drejt integrimeve euroatlantike është dialogu për normalizimin e raporteve me Serbinë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

"Nuk ka rrugë tjetër dhe posaçërisht zbatimi në mirëbesim dhe i plotë i të gjitha zotimeve që janë bërë nga Kosova në dialog, kjo nuk është e negociueshme. Nga kjo Qeveri e Kosovës, ashtu sikurse edhe nga qeveritë paraprake, presim që të punojë në partneritet me ne, derisa vazhdojnë përpjekjet tona për të ndërtuar një Kosovë prosperuese, multientike dhe të sigurt në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, tha Hovenier.

Kosova dhe Serbia që nga viti 2011 zhvillon dialog politik, që synon normalizimin e raporteve mes shteteve. Gjatë procesit janë arritur shumë marrëveshje, por pak prej tyre zbatohen në terren. Vitin e fundit palët u pajtuan për Marrëveshjen në rrugën drejt normalizimit, por sipas Bashkimit Evropian, Prishtina dhe Beogradi nuk po e zbatojnë të njëjtën, shënon REL.

SHBA-ja, që mbështet dialogun e Brukselit, vazhdimisht u kërkon palëve që të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e dialogut.

Raportet mes Kosovës dhe SHBA-së janë tendosur së fundi për shkak të vendimit të autoriteteve të Kosovës për të ndaluar përdorimin e dinarit serb. Zyrtarët amerikanë kanë kërkuar që Kosova të shtyjë zbatimin e vendimit, duke thënë se kjo çështje ka paraqitur sfida në raportet dypalëshe.

I dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Eskobar, ka thënë se me mospërmbushjen e kërkesës amerikane për çështjen e dinarit, Qeveria e Kosovës nuk po e trajton Uashingtonin si partner.

Ndërkaq, duke kujtuar ndërhyrjen para një çerek shekulli të NATO-s në Kosovë, për t’i dhënë fund, siç tha ai, “spastrimit etnik” në Kosovë nga “makineria [e udhëheqësit të atëhershëm serb, Sllobodan]Millosheviqit”, Hovenier tha se shteti i tij është i përkushtuar që ngjarje të tilla të mos përsëriten.

“Dua të riafirmoj përkushtimin tonë drejt sigurimit që ngjarjet e tmerrshme që kanë ndodhur para 25 vjetësh në Kosovë të mos ndodhin më kurrë. Mbesim të përkushtuar që të mbështesim rolin stabilizues që luhet nga forca e NATO-s, KFOR”, tha Hovenier, duke theksuar se ndërhyrja e NATO-s ishte edhe i domosdoshëm, edhe legjitim “duke marrë parasysh krizën humanitare që bota po shihte në kohë reale”, tha diplomati amerikan.

Më 24 mars bëhen një çerek shekulli nga nisja e sulmeve ajrore të Aleancës Veri-Atlantike kundër caqeve ushtarake policore në ish-Jugosllavi.

Pas 78-ditësh të sulmeve, bombardimet u ndëprenë më 10 qershor 1999, me miratimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Kjo Rezolutë, ishte një kompromis i pesë vendeve të përhershme anëtare të Këshillit të Sigurimit në bazë të së cilës, në Kosovë vendosej një administratë e Kombeve të Bashkuara, UNMIK, e cila administronte fazën transitore deri në ngritjen e institucioneve vendore dhe zgjidhjen e përhershme të statusit të Kosovës.

Ndërhyrja ushtarake e NATO-s në Kosovë mundësoi kthimin në shtëpitë e tyre të më shumë se 800.000 persona të zhvendosur brenda dhe jashtë Kosovës.

Më 12 qershor 1999, në Kosovë filloi vendosja e rreth 50.000 ushtarëve nga 36 vende të botës, prej të cilëve 30.000 ishin nga vendet e NATO-s.

Njëzet e pesë vjet pas kësaj ndërhyrjeje, në misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, ka numër shumë më të vogël të ushtarëve, 4.700 sosh, shkruan Radio Evropa e Lirë. 

QËNDRONI TË LIDHUR