• e martë, 24 dhjetor 2024

Hovenier politikanëve kosovarë: Tejkaloni keqkuptimet, zgjidhni çështjen e të pagjeturve

Hovenier politikanëve kosovarë: Tejkaloni keqkuptimet, zgjidhni çështjen e të pagjeturve

Prishtinë, 30 gusht 2024 (MIA) - Në Ditën Ndërkombëtare në përkujtim të personave të zhdukur me dhunë, ambasadori amerikan në Kosovë, Xhefri Hovenier, së bashku me ambasadorët e Francës dhe të Mbretërisë së Bashkuar, Oliver Guero dhe Nikollas Abot, kanë shprehur homazhe në monumentin e të zhdukurve me dhunë gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998-99, raporton korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Pas vendosjes së kurorave me lule në monument, Hovenier tha se së bashku me kolegët e tij nga trupi diplomatik ka përsëritur thirrjen drejtuar politikanëve të Kosovës që të tejkalojnë mosmarrëveshjet dhe të zgjidhin rastet e personave të pagjetur.

"Në këtë Ditë ndërkombëtare të viktimave të zhdukur me forcë, iu bashkova kryeministrit Kurti dhe kolegëve të trupit diplomatik për të nderuar familjet kosovare që janë në pikëllim dhe në pritje të lajmeve për të dashurit e tyre të humbur. E përsërisim thirrjen tonë drejtuar institucioneve dhe zyrtarëve që të tejkalojnë dallimet dhe të punojnë së bashku për të zgjidhur rastet e personave të pagjetur", e transmeton ueb faqja e Fejsbukut të Ambasadës së SHBA-së, mesazhin e Hovenierit. 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjithashtu bëri nderime në monumentin e të zhdukurve, së bashku me nënkryetaren e Kuvendit, Saranda Bogujevci dhe zëvendëskryeministren dhe shefen e diplomacisë kosovare, Donika Gërvalla.

Mbi 1.600 civilë nga Kosova, mes të cilëve edhe shumë fëmijë, raportohen të zhdukur nga lufta e fundit me Serbinë. Autoritetet kosovare vazhdimisht kërkojnë nga Beogradi që t'i hapë dosjet e ushtrisë dhe policisë së atëhershme jugosllave dhe serbe dhe të zbulohen vendet mbarë Serbinë ku, sipas Prishtinës, ndodhen varreza masive me civilë të vrarë shqiptarë. qa/bsh/

QËNDRONI TË LIDHUR