• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Hoti: Mbrëmë për herë të parë aleatët e kanël kritikuar Kosovën në një debat në KS të KB-së

Hoti: Mbrëmë për herë të parë aleatët e kanël kritikuar Kosovën në një debat në KS të KB-së

Prishtinë, 9 shkurt 2024 (MIA) - Ish kryeministri i Kosovës, deputeti aktual i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka reaguar pas mbledhjes së djeshme të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, e cila ishte konvokuar me kërkesë të Serbisë për çështjen e dinarit serb.

Hoti në një postim në Fejsbuk ka shkruar se ballafaqimi në Këshillin e Sigurimit ishte totalisht i panevojshëm, joproduktiv dhe i dëmshëm për Kosovën dhe u dëshmua qartë se mungesa e bashkërendimit të veprimeve tona me aleatët ka pasoja për vendin.

"Mbrëmë ishte hera e parë që aleatët tanë kryesorë na kritikojnë në një diskutim të Këshillit të Sigurimit. Kjo qasje e Qeverisë Kurti nuk i shërben integrimit euro-atlantik të Kosovës. Është për keqardhje që veprimet e drejta të Kosovës, të cilat asnjë aleat nuk i konteston në aspektin kushtetues, të na kthehen si bumerang për shkak të politikës së mbrapshtë, ku çdo veprim shtetëror i nënshtrohet interesit elektoral momental të partisë në pushtet”, shkruan ai.

Në KS të KB-së, Kosova u kritkua për zbatimin e rregullativës së Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për ndalesën e dinarit dhe për atë se "nuk merret parasysh ndikimi i kësaj rregullative ndaj minoritetit serb në Kosovë". Edhe krahas kësaj, është përshëndetur premtimi nga ana e Qeverisë për sigurimin e periudhës kalimtare për zbatimin e saj.

Anëtarët e KS të KB-së kërkuan që Kosova dhe Serbia të obligohen për dialog dhe implementimin e marrëveshjeve, si dhe të përmbahen nga veprimet e njëanshme, të cilat do të mund t'i rrisin tensionet. Nga Serbia u kërkua edhe të kërkojë përgjegjësi nga ata të cilët ishin të përfshirë në sulmin e armatosur në Banjskë në shtator të vitit të kaluar.

Në mbledhjen e KB-së, të konvokuar nga Serbia, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka mbrojtur vendimin e BQK, me të cilin parashikohet që valuta e vetme për pagesë me para të gatshme në Kosovë të jetë euroja, respektivisht hiqet shfrytëzimi i dinarit serb. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq këtë vendim e ka vlerësuar si "sulm ndaj popullatës serbe në Kosovë". bsh/

QËNDRONI TË LIDHUR